Skuadrat kosovare, pa fat në shortin e garave evropiane

Sport July 18, 2017 - 16:55

Skuadrat kosovare të hendbollit i kanë mësuar të martën emrat e kundërshtarëve të tyre në garat evropiane për sezonin 2017/18.

Dhe, në shortin që u hodh në zyrat e Federatës Evropiane të Hendbollit ekipet e Kosovës në të dyja konkurrencat nuk patën fat, shkruan zeri.info.

Besa me debutuesit turq

Skuadra kampione e Kosovës në hendboll, Besa Fam Gas (nga ky edicion ka sponsorin e ri), do të ballafaqohet në EHF Cup (meshkujt) me skuadrën nga Turqia, Beykoz BLD SK, e cila debuton këtë vit në garat evropiane.

Skuadra pejane ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 2/3 shtator në Pejë, kurse revanshi zhvillohet pas shtatë ditësh në Turqi.

Trepça, vështirë me rumunët

Rikthimi i KH Trepça në garat e Kupave të EHF-it nuk do të jetë i lehtë pasi shorti ishte i pamëshirshëm, duke tërhequr për kundërshtar skuadrën e njohur rumune, Potaisja Turda.

Dueli zhvillohet në kuadër të rrethit të tretë të Challenge Cup (meshkujt) dhe sipas shortit “Minatorët” ndeshjen e parë e luajnë si vendas më 18/19 nëntor, kurse ajo e kthimit më 25/26 nëntor në Rumani.

Prishtinaset e kërkojnë “mrekullinë”

Hendbollistet prishtinase do ta kërkojnë “mrekullinë” në duel me skuadrën nënkampione zvicerane, LC Bruhl, me të cilën do të përballen në rrethin e parë të EHF Cup (femrat).

Ndeshja e parë zhvillohet më 9/10 shtator në Prishtinë, derisa loja e kthimit më 16/17 shtator në Zvicër.

Shqiponja e Istogu, kundërshtarë të fortë

Shqiponja dhe Istogu nuk do të kenë punë aspak të lehtë në duelet përkatëse në Challenge Cup (femrat). Këto dy skuadra do të kenë punë me ekipe nga Portugalia e Holanda, ku niveli është superior karshi atij kosovar.

Në kuadër të rrethit të tretë, që zhvillohet më 11/12 nëntor dhe 18/19 nëntor 2017, skuadra gjakovare do të luajë me ekipin portugez, ADA CJ Barros, ndërsa befasia evropiane, Istogu, debuton si vendës kundër skuadrës holandeze, Virto/Quintus.

Dy ndeshjet e para luhen në Kosovë, kurse ato të kthimit në Portugali, respektivisht në Holandë. /Zëri/