Ekipi më i shtrenjtë në histori të futbollit

Sport July 18, 2017 - 14:13

Transferimet e shtrenjta të klubeve futbollistike tashmë janë bërë mjaft të zakonshme, shkruan sot gazeta Zëri.

Shifra marramendëse shpenzohen për t’i sjellë në klub futbollistët më të mirë. Mbrojtësi anglez Kyle Walker tashmë është mbrojtësi i djathtë më i shtrenjtë pas transferimit të tij nga Tottenhami te Manchester City.

“Sky Sport” ka përgatitur ekipin më të shtrenjtë në histori të futbollit.

Vlera e këtij njëmbëdhjetëshi shkon në 669.25 milionë funte, kurse me përfshirjen e rezervistëve kjo shifër arrin njëmiliardëshin.

Ederson (Nga Benfica te Manchester City, 34.7 milionë funte)

Ederson është bërë portieri më i shtrenjtë në histori të futbollit pas transferimit të tij te Manchester City nga Benfica gjatë muajit të kaluar.

Kyle Walker (Nga Tottenhami te Manchester City, 50 milionë funte)

Transferimi i Walkerit te Manchester City është dyfish më i shtrenjtë se transferimi i mbrojtësit, Fabio Coentrao, te Real Madridi nga Benfica për 27.1 milionë funte në vitin 2011.

David Luiz (Nga Chelsea te PSG-ja, 50 milionë funte)

Shitja e Luizit nga Chelsea te PSG-ja në vitin 2014 doli të jetë një tregti mjaft e mirë për londinezët. Klubi anglez e riktheu brazilianin për 20 milionë funte më pak pas vetëm dy vjetësh. Ai luajti një rol kyç gjatë edicionit të kaluar me Chelsean.

John Stones (Nga Evertoni te Manchester City, 50 milionë funte)

Mbrojtësi anglez u transferua nga Evertoni te Manchester City për 50 milionë funte gjatë vitit të kaluar. Stones u paraqit si titullar në 23 ndeshje të ligës angleze, kurse në katër të tjera u inkuadrua nga banka rezervë.

Luke Shaw (Nga Southamptoni te Manchester United, 28 milionë funte)

Mjaft befasuese, por Luke Shaw mbetet mbrojtësi i majtë më i shtrenjtë në histori të futbollit pas transferimit te Manchester United për 28 milionë funte. Kjo shifër e bën anglezin futbollistin më të lirë në këtë ekip.

Angel Di Maria (Nga Real Madridi te Manchester United, 59.7 milionë funte)

Di Maria figuron dy herë në listën e transferimeve më të shtrenjta. Edhe pas largimit nga Manchester United te Paris Saint-Germaini për 44.3 milionë funte, gjendet mjaft lart në listën e transferimeve më të shtrenjta në futboll. 

Paul Pogba (Nga Juventusi te Manchester United, 93.25 milionë funte)

Transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit deri më tani mban emrin e Paul Pogbas. Vitin e kaluar francezi u transferuar për një shifër rekorde prej 93.25 milionë funtesh nga Juventusi te Manchester United. 

James Rodriguez (Nga Monaco te Real Madridi, 63 milionë funte)

Pas paraqitjeve të mira me Kolumbinë në Botërorin e vitit 2014, James u transferua te Real Madridi për 63 milionë funte. Tani ai është huazuar nga klubi spanjoll te Bayern Munichi.

Gareth Bale (Nga Tottenhami te Real Madridi, 85.3 milionë funte)

Shifra prej 85.3 milionë funtesh mbetet shifra më e lartë e pranuar ndonjëherë nga ndonjë klub anglez. Uellsiani kaloi nga Tottenhami te Real Madridi në vitin 2013.

Gonzalo Higuain (Nga Napoli te Juventusi, 75.3 milionë funte)

Transferimi i Higuainit te Juventusi e mban argjentinasin në këtë listë me vetëm 300.000 funte më shumë se transferimi i Romelu Lukakut te Manchester United. Ai realizoi 24 gola në Serie A me fanellën e torinezëve gjatë edicionit të kaluar.

Cristiano Ronaldo (Nga Manchester United te Real Madridi)

Ende sulmuesi më i shtrenjtë në histori të futbollit pas transferimit nga Manchester United te Real Madridi në vitin 2009. Ka një klauzolë lirimi prej 1 miliard funtesh.

Rezervistë: Gianluigi Buffon, Shkodran Mustafi, Kaka, Kevin De Bruyne, Zinedine Zidane, Romelu Lukaku dhe Luis Suarez. /Zëri/

Image