Edhe në dasmë me Arsenalin!

Sport July 18, 2017 - 12:23

Një tifoz i flaktë i Arsenalit, nga Kosova, është bërë i famshëm nëpër botë pasi zgjodhi të bënte diçka të veçantë dhe speciale në dasmën e tij, shkruan sot gazeta Zëri.

Kaltrim Agushaj u martua me Edisona Agushajn të shtunën që e lamë pas me një ceremoni martesore, ndërsa një pjesë e festimeve u fokusua tek dashuria e dytë më e madhe e Kaltrimit – Arsenali.

Miqtë më të afërt dhe një pjesë e familjes së djaloshit e veshën fanellën e Arsenalit dhe bënë fotografi para se të këndonin në dedikim të ekipit të tyre të zemrës.

“Ishte një ide spontane e miqve të mi për ta bërë pjesë të martesës tonë Arsenalin”, ka thënë Kaltrimi për “Goal.com”.

“Ishte një befasi e vogël për të gjithë dasmorët, por jam i lumtur pasi secili ishte i kënaqur në fund. Unë jam tifoz i Arsenalit qëkur isha 17 vjeç, që nga viti 2000. Pa Arsenalin jeta ime nuk do ta kishte ndonjë kuptim”, ka shtuar ai.

“Reagimi ishte paksa i çuditshëm pasi bashkëshortja ime nuk e priste këtë. Ajo ishte e befasuar sepse ishte një ditë speciale për të dhe për ne! Ishte dita e martesës sonë dhe kjo ishte një dhuratë befasie nga miqtë tanë tifozë të Arsenalit, të cilët i ftuam në dasmën tonë. Ajo u pajtua dhe ishte e lumtur në fund”, tregon ndër të tjera Agushaj.

“Ne nuk mund të refuzojmë ta veshim fanellën e Arsenalin edhe nëse kjo kërkohet në dasmën tonë! Fatmirësisht, ajo është fanse e Arsenalit po ashtu. Mysafirët tanë ishin mjaft të befasuar me këndimin dhe me vallëzimin tonë. Ne e kënduam këngën: ‘Ne jemi Arsenali’ dhe: ‘Ne e duam Arsenalin, po po e duam’. Ne e duam këtë ekip dhe kur kërcenim dhe pinim, i befasuam mysafirët. Në pjesën më të madhe të kohës ne këndonim: ‘Arsenal kampion, Arsenal, Arsenal”, përfundoi djaloshi nga Kosova.

Nusja, siç shihet në fotografi, e mbante në krahë shallin e Arsenalit, e dhëndri fanellën, derisa shoqëroheshin nga disa tifozë të zjarrtë të “Topçinjve”.

E tifozët ia kanë kushtuar disa vargje Kaltrimit. “Jeta na ka bërë miq, Arsenali na bëri vëllezër”, kanë shkruar ata në gjuhën angleze.

Me siguri dasma e Kaltrimit me Edisonën do të mbahet në mend gjatë për faktin se ishte speciale. /Zëri/