Strakosha është gati

Sport July 17, 2017 - 15:45

Thomas Strakosha është gati për një tjetër sezon prej protagonisti në Serinë A me Lazion, skuadër e cila sezonin e kaluar fitoi një bast shumë të rëndësishëm për të ardhmen, duke i besuar rolin e titullarit portierit shqiptar për pjesën më të madhe të ndeshjeve.

22-vjeçari po stërvitet me intensitet të lartë nga trajneri i portierëve Adalberto Grigioni në këtë fazë përgatitore që po zhvillohet në Auronzo di Cadore. Gjërat kanë ndryshuar shumë nga një vit më parë për Strakoshën, sipas tij për meritë të shokëve të skuadrës te Lazio, klubit dhe sigurisht familjes.

Futbollisti i Kombëtares Shqiptare siguroi se është gati për të qenë portieri i parë i bardhekaltërve, por cilësitë e tij duhet t’i tregojë në fushën e blertë. Edhe pse vjen pas një sezoni mjaft pozitiv, për Strakoshën ka shumë vend për përmirësim, transmeton SS.

A shtoi më tej se nëse Lazio arrin të marrë rezultatet e duhura, atëherë edhe objektivat personale janë shumë të thjeshtë për t’u arritur.

I pyetur për faktin se edhe babai i tij Foto Strakosha ka qenë një portier i nivelit të lartë dhe udhërrëfyes për formimin e tij si futbollist karrierën e tij, Thomas theksoi se ndihet krenar për të dhe do të kërkojë të arrijë shumë më tepër në karrierë.