Kombëtarja, trajneri ri, çështje orësh

Sport July 17, 2017 - 14:45

Është cështje orësh por ndërkohë ende asgjë nuk është vendosur përfundimisht. Është ky qëndrimi zyrtar i Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me një nga cështjet më të rëndësishme për sa i përket të ardhmes kuqezi, asaj të trajnerit të ri të Kombëtares. Nëpërmjet një Komunikate zyrtare Federata Shqiptare e Futbollit informon opinionin publik se është duke vazhduar intensivisht negociatat për emërimin e trajnerit të ri të Kombëtares.

Përkundër raportimeve për zgjedhjen përfundimtare për sa i përket emrave të caktuar, Federata thekson se asgjë për momentin nuk është zyrtarizuar apo konfirmuar, ndërsa mjaft i rëndësishëm është dhe togfjalëshi, “presidenti Duka vijon negociatat e tij me kandidatët përkatës për stolin kuqezi”, pra me kandidatët lihet te kuptohet se bisedimet nuk po zhvillohen vetëm me një person, pasi vijojnë të mbeten në disa pista.

Supersport ka arritur të mësojë që javën e kaluar listën e reduktuar me 3 kandidatët finalistë për stolin e Kombëtares, pikërisht Cristian Panucci, Lugi De Canio dhe Walter Zenga. Duke ju referuar qëndrimit zyrtar të FSHF, duket se në garë kanë mbetur të paktën dy prej tyre. E sigurt është se negociatat janë në sprintin final ku do të vendoset cdo gjë, ndërkohë që dilema e madhe se cili do të jetë timonieri i ri i Kombëtares që do të udhëheqë kuqezinjtë në ndeshjet e mbetura të eliminatoreve të Botërorit, por mbi të gjitha me misionin për të përsëritur mrekullinë e kualifikimit në një event madhor, Europianin e vitit 2020 pritet të marrë një përgjigje së shpejti, mund të jete madje edhe cështje orësh.