Llapi, shtëpia e Zhdrellës

Sport July 17, 2017 - 12:13

Mentor Zhdrella është i lumtur që është kthyer në tokën llapjane, aty ku i kishte kaluar kohët më të mira me Hysin e të cilat do të mundohet t’i përsërisë tani me Llapin.

Katër herë futbollisti më i mirë i Kosovës është prezantuar me fanellën me numër 7 të ekipit llapjan, ku kaloi nga Feronikeli, shkruan sot gazeta Zëri.

“Jam i lumtur që u riktheva në shtëpinë time, në vendlindjen time. Pritja ishte jashtëzakonisht e mirë, ndërsa me shumicën e futbollistëve njihem pasi i kam kolegë. Premtoj maksimumin për Llapin dhe pres përkrahje maksimale nga qytetarët dhe tifozët që për ne janë futbollisti i 12-të. Do të japim më të mirën për t’i arritur objektivat e klubit dhe te jemi sa më lart në tabelë”, ka theksuar Zhdrella.

Transferimin e Zhdrellës në Llap e ka mirëpritur trajneri Tahir Batatina, i cili ka potencuar se Llapi me sukses po e realizon projektin e kthimit të futbollistëve llapjanë në Llap.

“Me ardhjen e lojtarit më të mirë në Kosovë Llapi do të frymojë ndryshe sepse në skuadër rikthyem katër lojtarë po në këtë afat kalimtar, Ilir Blakçorin, Benjamin Eminin, Meriton Mehmetin dhe Mentor Zhdrellën”, ka thënë Batatina. /Zëri/