Genti, njeriu i shtatë sporteve

Sport July 17, 2017 - 12:06

Gentian Rizaj është sportisti më i veçantë që e ka pasur Kosova ndonjëherë. Gjatë karrierës, në mes Kosovës dhe Amerikës, ai është marrë me shtatë sporte aktive: tenis, pingpong, minigolf, hendboll, futboll, basketboll dhe bilardo. Kureshtja për ta sprovuar veten e ka shtyrë 39 vjeçarin t’i provojë sportet e ndryshme, ku nuk i kanë munguar sukseset. Përpos disa profesioneve që ka jashtë sportit, Genti në të ardhmen synon ta provojë edhe ndonjë sport ekstrem. Me sport thotë se do të merret deri në vdekje

Gentian Rizaj nuk është sportist i famshëm në Kosovë, por më i veçanti gjithsesi se është, shkruan sot gazeta Zëri.

Gjatë karrierës së tij, prishtinasi është marrë me shtatë sporte aktive, në mes Kosovës dhe Amerikës, gjë e cila nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë në vendin tonë.

Prishtinasi e kishte nisur me tenis, ku ishte nënkampion i Kosovës dhe e kishte zënë vendin e parë në garat e krejt shkollave të mesme në Oklahoma City në SHBA.

Gjithashtu, ishte trajner i tenisit në Mid-Town Manhattan, ku kanë ushtruar yje si Nicole Kiddman, Nick Cave dhe të tjerë.

Image

Kalojmë në pingpong. Ai ishte lojtar i këtij sporti dhe anëtar i Bordit të Federatës së Pingpongut të Kosovës. Gjithashtu, ishte edhe organizator i “Ping-Pong Day 2016”.

Image

Po ashtu, Genti e kishte sprovuar veten edhe në minigolf. Ai është ende kryetar i klubit të Minigolfit “Sunny Hill”, lojtar pjesëmarrës dhe njëri nga organizatorët e “World Championship Kosovo 2016”.

Image

Ndër vite, Rizaj i ka provuar edhe tri sportet kryesore në vend: futbollin, basketbollin dhe hendbollin, shkruan Zëri.

Sa i përket futbollit, ai ishte portier pro dhe kishte mbrojtur në ligën e dytë Brooklyn – New York.

Në basketboll, ai kishte luajtur në “La Guardia College”: Lojtar në pesëshen e parë në finalen e kolegjeve të New Yorkut. E në hendboll ishte lojtar profesionist në klubin e hendbollit Prishtina.

Image

Dhe në fund, bilardo. Ai tregon se kohëve të fundit, prej se ka problem me ligament të gjurit, merr pjesë në turne të rajonit në këtë sport.

Por, përse ky “notim” nëpër sporte? Vetë Rizaj e tregon arsyen.

“Unë jam rritur në një mëhallë (Bregu i Diellit tek Qendra Tregtare në Prishtinë), ku sportet kanë qenë pjesë shumë e rëndësishme e jetës sonë. Shumë talente dhe legjenda ka pasur dhe kemi qenë super të organizuar dhe disiplinuar për çdo sport. Por, edhe karakteri im është i llojit që, pasi ta mbërrij një nivel ose sukses, kam dëshirë të provoj diçka tjetër. Çdo sport për mua ka shumë karakteristika speciale dhe lufta më e madhe është kundër vetes dhe mandej kundër kundërshtarit”, tregon fillimisht Rizaj për “Zërin”.

Image

Sukseset i arriti nga rruga

Si çdo i ri edhe Gentiani ka kaluar nëpër periudhën e vështirë të paraluftës, ku sportet nuk kishin kurrfarë kushtesh dhe ishte vështirë që ato të zhvillonin aktivitete.

Ai madje e tregon një rast të rrallë, se si ka nisur të merret me tenis në rrugë, por që kjo e ndihmoi shumë të arrinte suksese më pas në SHBA.

Image

“Unë kur e kam fituar vendin e parë prej krejt shkollave të mesme në tenis në Oklahoma City, e kam bërë këtë pa luajtur asnjëherë më parë në fushë të tenisit. Ne kemi ushtruar dhe mësuar vetë të luajmë në rrugë tek Fakulteti Teknik në Prishtinë, ku rastësisht ishte një dru dhe bander i dritës paralel. Plus, as trajner nuk kemi pasur, as internet. Kështu që, tërë jetën në Kosovë jemi adaptuar me çka kemi pas. Por, edhe kjo e ka lezetin e vetë”, rrëfen kujtimet e tij Rizaj.

Image

Nuk i ndan sportet që i bëri

Ai nuk di t’i ndajë sportet me të cilat u mor, pasi i ka shijuar të gjithë në maksimum.

Por, e pranon se sukseset në sportet ekipore i ka shijuar më tepër.

Image

“Ende nuk e di a më pëlqejnë më shumë sportet individuale apo ekipore. Ekiporet më pëlqejnë më shumë për faktin se fitoret janë më të këndshme dhe sukseset janë më interesante. Por, edhe ato individuale e kanë përjetimin e veçantë. Sportet i dua edhe në bazë të sezoneve, kështu që nuk do të mund ta jepja një përgjigje se cilin sport do ta veçoja”, shprehet Rizaj, i cili për momentin punon në Lidhjen Turistike të Kosovës si menaxher i marketingut, gjithashtu është pronar i “kosovajob.com”, ka qenë regjisor i dy sezoneve të “Reality TV” emisionit “Kemi punë për Ju”, por punon edhe si “DJ”.

Image

Me sport, deri në vdekje

39 vjeçari nuk e ka ndërmend t’i ndahet asnjëherë sportit. Kureshtja për të provuar diçka të re thotë se do ta përcjellë edhe në vitet e ardhshme, ku mund ta shohim në një sport tjetër, të paprovuar deri tash.

“Më kanë mbetur merak të gjitha sportet ekstreme. Më pëlqen shumë kombinimi i frikës dhe sportit. Me sport do të merrem deri në vdekje”, përfundoi Genti. /Zëri/

Image