Boksit nuk i mjaftojnë paratë nga shteti, kërkon sponsorë

Sport July 17, 2017 - 11:57

Bordi i FboxK-së e ka vlerësuar lart pjesëmarrjen e Donjeta Sadikut, Fjolla Qunajt dhe trajnerit të tyre Besim Ibrahimit në Kampionatin Evropian, i cili u mbajt para pak ditësh në Bullgari, në të cilin Donjeta u shpall nënkampione evropiane.

Njëherësh, shtëpia e boksit ka vendosur që ta rrisë mbështetjen financiare për Donjeta Sadikun në mënyrë që ajo të përgatitet sa më mirë për pjesëmarrje në Botërorin, i cili mbahet në Indi gjatë muajit nëntor, shkruan sot gazeta Zëri.

Ndërkohë, Bordi i FboxK-së po ashtu ka vendosur që boksierët dhe boksieret më të mirë të Kosovës të marrin pjesë vetëm në gara të nivelit të lartë të AIBA-s dhe të EUBC-së.

Por, FboxK-ja konsideron se gjendja e vështirë financiare po i pamundëson sukses të dëshiruar.

“U diskutua për çështjen financiare dhe se ky buxhet i ndarë nga Ministria e Sportit nuk mjafton për të marrë pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare dhe në Kampionatet Evropiane për Juniorë dhe të Rinj, prandaj u vendos të kërkohet ndonjë sponsor që do ta përkrahë FboxK-në”, theksohet në njoftim. /Zëri/