Trajneri amerikan i Kosovës: Bëjeni krenar vendin tuaj

Sport July 02, 2017 - 16:19

Përfaqësuesja e Kosovës i ka filluar të dielën përgatitjet për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës, përcjellë zeri.info.

Nën drejtimin e përzgjedhësit, Brad Greenberg dhe ndihmësve të tij Ernie Nestor, Lance Randall, Ilir Selmani dhe Andin Rashica basketbollistët e kanë nisur një aventurë të re në nivel kombëtar.

Së pari, përzgjedhësi Greenberg para basketbollistëve, stafit të tij dhe zyrtarëve të lartë të FBK-së e ka prezantuar planin dhe programin e tij për fazën përgatitore dhe atë parakualifikuese.

Greenberg para se gjithash ka kërkuar përgjegjësi maksimale nga secili anëtar i Përfaqësueses duke marr parasysh faktin se bëhet fjalë për përfaqësim shtetëror, dhe sipas tij kur bëhet fjalë për diçka të tillë atëherë duhet bërë shumë sakrifica nga të gjithë ata që janë të involvuar në këtë proces.

“Na pret një punë e madhe të gjithë ne që jemi pjesë e Përfaqësueses. Pra secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësi individuale dhe më pas edhe grupore për këtë fazë të rëndësishme të përgatitjeve. Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kosovës dhe ju njëjtë duhet të ndiheni. Unë kërkoj përgjegjësi maksimale nga ju në rrugën drejt mbrojtjes së ngjyrave të shtetit. Nuk kemi shumë kohë andaj duhet t’i përvishemi punës që nga dita e parë”, është shprehur fillimisht Greenberg.

“Prandaj kërkoj nga ju që të jeni të saktë në çdo seancë stërvitore, sepse më pas e njëjta gjë do të ndodh në parket, pra do të jeni të gatshëm për aksion apo veprim që do ta ndërmerrni. Federata dhe zyrtarët e saj e kanë bërë një punë shumë të mirë me basketbollistë, ndërsa ne tash duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë skuadrën e cila do të paraqitet në ndeshjet e muajit gusht. Unë jam shumë optimist se do të kemi sukses në realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta”, ka shtuar ai.

Image

Ndërkaq, pas përfundimit të takimit të përbashkët Greenberg me shtabin teknik dhe basketbollistët janë shfaqur në parket për të bërë atë që dinë më së miri ta bëjnë, pra të stërviten/luajnë basketboll.

Përfaqësuesja A e Kosovës deri më 5 korrik do të stërvitet nga dy herë në ditë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, për të vazhduar më pas me fazën tjetër përgatitore në Gjakovë, ku do të qëndrojnë një javë. Në program janë edhe ndeshjet miqësore jashtë vendit, por edhe brenda.

Kosova është pjesë e Grupit C të parakualifikimeve të Botërorit së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje prej 2 deri më 9 gusht 2017.

Erolld Belegu, president i FBK-së:

“Në këtë vit po hyjmë më me përvojë në gara zyrtare të nivel të Përfaqësueses A. Po ashtu jemi më të mobilizuar, kjo edhe falë përvojës në krahasim me vitin e kaluar. Me tre basketbollistë të rinj në përbërje, Lis Shoshi, Gëzim Morina dhe Erjon Kastrati, si dhe me të tjerët që janë pjesë e skuadrës unë besoj se do t'ia dalim me sukses të shkojmë drejt suksesit. Bëhet fjalë për mbrojtjen e ngjyrave të shtetit andaj kjo kërkon përgjegjësi maksimale nga të gjithë ne, por në veçanti nga ju basketbollistët që luani në parket. Unë ju dëshiroj punë të mbarë dhe shumë suksese në këtë rrugëtim të përbashkët”. /Zëri/

Image