Mesfushorët më të kërkuar në Evropë

Sport July 01, 2017 - 10:01

Tashmë kemi hyrë në një fazë mjaft të ngjeshur të afatit kalimtar dhe portali i njohur “WhoScored.com” ka përgatitur një analizë të mesfushorëve më të kërkuar në Evropë. Në këtë listë bëjnë pjesë emra të mesfushorëve, të cilët mund të lëvizin gjatë kësaj vere, shkruan sot, gazeta Zeri.

James Rodriguez – Real Madrid

Tash e disa vjet i lidhur me një kalim te Manchester United e ardhmja e reprezentuesit kolumbian ende mbetet e paqartë. 25-vjeçari startoi në vetëm 13 ndeshje të La Ligës gjatë edicionit të kaluar. Gjatë paraqitjeve të tij kolumbiani kishte realizuar 8 gola dhe 6 asistime. Nëse krahasohet me mesfushorët e tjerë gjatë kohës së tij në fushë 25-vjeçari është lojtari me më së shumti shanse të krijuara për 90 minuta në ligën spanjolle.

Marco Verratti – PSG

Lëvizja e mundshme e italianit drejt Barcelonës duket se do të jetë një telenovelë e vërtetë e kësaj vere. Verratti do të përshtatej shumë me stilin e lojës së skuadrës katalunase. 24-vjeçari ka një mesatare prej 87.5 pasimesh për lojë, me një saktësi prej 88,4%. Vetëm sulmuesi i Lyonit, Alexandre Lacazzete (7.57), ka notën më të mirë se reprezentuesi italian (7.54) për edicionin e kaluar.

Jean Michael Seri – Nice

Mesfushor me një lojë të përafërt me mesfushorin e Paris Sainte-Germain, Marco Verratti. Nuk është për t’u habitur se Seri është alternativa e Verrattit për klubin e Barcelonës. Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ishte pjesë kyçe e Nices në luftën për titullin e ligës franceze. Edhe Roma është duke shprehur interesim për mesfushorin. 25-vjeçari është lojtari i tretë në Francë për mesatare të pasimeve për ndeshje (83.4). Gjithashtu është njëri ndër pesë lojtarët me më së shumti shanse të krijuara, me mbi 50 raste.

Thomas Lemar – Monaco

I vetmi futbollist me më shumë asistime se Seri gjatë edicionit të kaluar ishte Lemar. Arsenali dhe Tottenhami janë duke shprehur interesim për shërbimet e 21-vjeçarit. Gjithashtu Lemar realizoi 9 gola në edicionin e kaluar, gjë e cila ndikoi që ai të ftohet nga përfaqësuesja franceze,

Fabinho – Monaco

Fitimi i ligës franceze sigurisht se ka ardhur edhe falë mesfushorit kreativ dhe luftarak, Fabinho. Braziliani është transformuar nga një mbrojtës i djathtë në mesfushor qendror, duke e tërhequr kështu edhe vëmendjen e Manchester United. Mesfushori pati një mesatare prej 3.1 ndërhyrjesh të sakta për ndeshje.

Tiemoue Bakayoko – Monaco

Edhe një tjetër mesfushor i Monacos, i cili mund të largohet gjatë kësaj vere, është Bakayoko. Francezi besohet se është shumë afër kompletimit të transferimit te Chelsea. Trajneri i londinezëve, Antonio Conte, dëshiroj ta formojë një partneritet mes Bakyokos dhe N’Golo Kantes në mesfushën e tij për edicionin e ardhshëm.

Ivan Perisiç – Inter

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, është duke shprehur interesim të madh për reprezentuesin kroat, Ivan Perisiç. Mesfushori anësor ishte njëri ndër të paktit që shkëlqeu gjatë edicionit të kaluar me Interin. Kroati kishte shënuar 11 gola dhe kishte bërë 8 asistime.

Naby Keita – RB Leipzig

Nëse u besojmë lajmeve të fundit, mesfushori më i shtrenjtë në këtë verë mund të jetë Keita. Leipzig kërkon 70 milionë funte për futbollistin, i cili është duke u ndjekur nga Liverpooli. Gjigandi anglez dëshiron të kthehet në garë për titullin anglez gjatë vitit të ardhshëm dhe është shumë e interesuar për shërbimet e Keitas. “WhoScored” e ka vlerësuar me notën 7.60./Zeri/.