Dallku: Shpresojmë të dalim me kokën lartë

Sport June 28, 2017 - 20:31

Armend Dallku është i gatshëm të rikthehet në kompeticionin prestigjioz Europa League, ku i kishte zhvilluar 15 ndeshje me Vorsklan e Ukrainës.

Kapiteni i prishtinasve thotë se Bardhekaltrit do të mundohen t’i shfrytëzojnë mundësitë e tyre, pa u ndier inferiorë ndaj kundërshtarit, shkruan zeri.info.

“Ne do të mundohemi që brenda fushës ta prezantojmë futbollin e Kosovës, e posaçërisht klubin e futbollit Prishtina. Asgjë s’është e pamundur nëse ekziston dëshira dhe vullneti i madh. Kështu që, gjithçka do ia lëmë fushës dhe shpresojmë që të dalim me kokën lartë pas ndeshjes”, tha mbrojtësi vushtrrias në konferencë për shtyp.

“Futbolli i Kosovës ka qenë i izoluar për shumë vite, në këto vitet e fundit jam përgatitur që ta bëj një rikthim, që ta mbyll karrierën këtu, pas eksperiencës në Ukrainë. Jam kthyer tek klubi i Prishtinës me atë dëshirë dhe vullnet që të bëj diçka të mirë. Sidomos që t’i ndihmoj lojtarët dhe ata futbollistë që janë pa përvojë në këtë drejtim”, nënvizoi ish-përfaqësuesi shqiptar.

Edhe ai shprehet se prishtinasit presin mbështetje nga shqiptarët që jetojnë në Suedi dhe në vendet përreth, derisa falënderon edhe klubin prishtinas që ka përgatitur dhurata për tifozët shqiptarë.

Prishtinasit kanë stërvitur mbrëmë pas konferencës për shtyp dhe janë gati për duelin e nesërm, i cili fillon në orën 20:00.