Champions, Kukësi përgatitet për sfidën me Sheriff Tiraspolin

Sport June 28, 2017 - 15:48

Kukësi ka nisur përgatitjet për ndeshjen me Sheriff Tiraspolin, për raundin e dytë kualifikues të Champions League.

Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka tashmë ndodhet në Austri, ku po zhvillon përgatitjet për këtë përballje me kampionët e Moldavisë, me synimin për t’u kualifikuar në raundin tjetër të këtij kompeticioni.

Për këtë arsye, skuadra verilindore po zhvillon dy seanca stërvitore në ditë; paradite në palestër, ndërsa pasdite në fushën e qendrës stërvitore të Kaprunit. Sipas stafit teknik të Kukësit, gjithçka po shkon mirë në këto përgatitje dhe me skuadrën janë bashkuar edhe dy blerjet më të reja të klubit, spanjolli Ferran dhe izraeliti Nasser.

Ndërkohë, në kuadër të këtyre përgatitjeve, Kukësi ka zhvilluar 2 ndeshje miqësore. Atë me austriakët e Wolfsberger të humbur thellë 7-0, si dhe sfida me rumunët e Botosanit e fituar nga Kukësi 3-1. Serran, Karioka dhe Pejiç ishin autorët e golave për kampionët e Shqipërisë në këtë fitore, që do të shërbejë shumë në rritjen e moralit.

Ndeshja mes Kukësit dhe Sheriff Tiraspolin për Champions League do të luhet më 12 korrik, në Moldavi. /Top Channel