Javë deçizive për të ardhmen e Sadikut

Sport June 26, 2017 - 15:41

Në Zvicër vazhdon të përbëjë lajm e ardhmja e Armando Sadikut. Sulmuesi shqiptar i cili luan në kampionatin helvet që prej vitit 2011 ka edhe një vit kontratë me Zurich por sipas të gjitha gjasave, 26-vjecari do të largohet nga Zvicra gjatë kësaj vere për të nisur një aventurë të re në një kampionat më të rëndësishëm. 

Të martën e kaluar Zurichu zhvilloi stërvitjen e parë me skuadrën që ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, por Sadiku nuk ishte i pranishëm sepse është ende me pushime ndërsa nuk dihet nëse bomberi kuqezi do ti bashkohet me Zurich në stërvitje.

Për të mos humbur me parametër zero drejtuesit e klubit zviceran do të bëjnë cmos për ta shitur në këtë merkato lojtarin. Nga transferimi i Sadikut në një tjetër klub nuk do të përfitojë vetëm Zurichu por edhe Lugano, skuadra tek e cila luajti i huazuar në gjysmën e dytë të sezonit e fundit, pasi në Janar të 2014-tës, kur 26-vjecari la Luganon për tu bashkuar fillimisht me Zurich-un, në marrëveshje dy klubet përfshinë klauzolën që në rast të shitjes së Sadikut në të ardhmen Lugano të përfitojë 25% të vlerës.

Sipas asaj që raporton faqja e specializuar zvicerane fusballinfos.ch, kjo javë mund të jetë vendimtare për të ardhmen e autorit të 2 golave në fitoren 0-3 të Shqipërisë ndaj Izraelit.

Futbollisti është në bisedime me Maccabi Haifan por fakti që kjo skuadër nuk luan në kompeticionet europiane mund të bëjë që Sadiku të mos pranojë të transferohet në kampionatin izraelit. Në fakt dëshira e lojtarit është të luajë në një prej ligave më të rëndësishme në Europë.