Relaks, mund t’ia dilni!

Sport June 24, 2017 - 12:04

Trepça ’89 është duke i kryer përgatitjet e fundit para duelit të javës së ardhshme në fazën e parë preliminare të Ligës së Kampionëve, që do ta zhvillojë në Ishujt Faro ndaj ekipit Vikingur, shkruan sot, gazeta Zeri.

Njohësit e futbollit e shohin të mundshme që ’89-shi ta kalojë fazën e parë kualifikuese, duke e pasur parasysh kualitetin jo fort të lartë të kundërshtarit.

Arsim Plepolli ka bërë përvojë të madhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu Iranin dhe Bosnjë e Hercegovinën. Ish-futbollisti i njohur kosovar, tash trajner, thekson se “Xehetarët” kanë gjasa të mira të kalojnë tutje.

Ai i këshillon mitrovicasit të hyjnë në fushë të relaksuar dhe të mos kenë ngarkesë psikike, edhe pse kjo është hera e parë në histori për ta që luajnë në Evropë.

Të vetmin avantazh kundërshtarit ia jep për shkak se Vikingur ka luajtur disa herë në garat evropiane.

“Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por assesi nuk duhet që ’89-shi të dorëzohet. Asgjë nuk është e pamundur në futboll dhe për këtë ky sport është interesant. Disa deklarata të trajnerëve më pengojnë sepse dorëzohen para lojës, duke e bërë kundërshtarin Real Madrid. Kjo ndikon keq edhe te futbollistët. Nuk kemi çka të humbim, vetëm mund të fitojmë”, shprehet Plepolli për “Zërin”.

“Nuk do të thosha që edhe kundërshtari është i pamposhtur. Një përparësi e tyre është se kanë marrë pjesë në gara ndërkombëtare qysh më moti. Nga ana tjetër, ’89-shi duhet të hyjë në lojë i relaksuar, jo me ngarkesë sepse as ata nuk i kanë 2 koka apo 4 këmbë. Pra, jemi njësoj dhe shpresoj që mitrovicasit të paraqiten sa më mirë”, nënvizoi trajneri kosovar.

Plepolli ndër të tjera mendon se ’89-shi është dashur të përforcohej me 2-3 futbollistë kualitativë, që kanë përvojë ndërkombëtare e lojtarë cilësorë dhe jo vetëm lojtarë vendorë. Kampioni i Kosovës do ta thyejë akullin, duke u bërë ekipi i parë kosovar në histori që luan në Ligën e Kampionëve.