Dëshpërohen i madh e i vogël

Sport June 24, 2017 - 11:16

Pamundësia që Përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë ndeshjet e fundit eliminatore të Botërorit 2018 në territorin e saj i ka dëshpëruar të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, shkruan sot, gazeta Zeri.

Pasi punimet në stadiumin e qytetit në Prishtinë kanë ngecje të madhe Federata e Futbollit të Kosovës për të mos rrezikuar ka vendosur që dy ndeshjet e fundit si vendës, ndaj Finlandës më 5 shtator dhe në duel me Ukrainën më 6 tetor, të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, njëjtë si tri ndeshjet paraprake të Verdhekaltëve ndaj Kroacisë, Islandës dhe Turqisë.

Bunjaki: Është ëndërr imja të luajmë në Prishtinë

Përzgjedhësi Albert Bunjaki nuk e ka pritur mirë faktin se ekipit të tij i duhet t’i luajë edhe dy ndeshjet e fundit si vendës në Shqipëri, pasi dëshirë e tij e madhe ishte që ta mbyllte kampanjën e Botërorit në kryeqytetin kosovar. Sidoqoftë, ai ka ende shpresa që mund të bëhet diçka dhe Kosova ta zhvillojë së paku një ndeshje në shtëpi.
“Ekziston rreziku të mos luajmë fare në Kosovë, ka qenë ky rrezik prej fillimit. Ne duhet t’i bëjmë aspektet organizative që të luajmë në Shkodër, por shpresa dhe dëshira janë që së paku një lojë ta bëjmë në Kosovë. Në këtë moment do të ishte shumë e rëndësishme kjo, si për ne ashtu edhe për tifozët. Do të ishte një energji totale, pasi do ta prekte nervin e secilit loja e parë në shtëpi gjatë eliminatoreve, siç kishte ndodhur me Haitin, por edhe me Finlandën”, u shpreh Bunjaki për “Zërin”.
“Do të ishte fenomenale, është një ëndërr imja që ta shijoj së paku një lojë në stadiumin e Prishtinës para mbylljes së këtyre eliminatoreve. Por, sido që të ndodhë, ne do ta kemi angazhimin e njëjtë dhe këta faktorë nuk mund të ndikojnë në performancën tonë, kudo që luajmë, qoftë në Shkodër apo diku tjetër”, vazhdoi ai. 

Berisha: Është shumë dëshpëruese për ne tifozët

Ata që po i vuajnë shumë udhëtimet janë edhe tifozët besnikë të Kosovës, “Dardanët”. Kreu i tyre, Lulzim Berisha, thotë se është mbushur kapaku dhe se duhet bërë diçka sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që Përfaqësuesja t’i zhvillojë ndeshjet si vendës në shtëpi.
“Është shumë dëshpëruese për ne tifozët, sepse ne kemi pritur që loja me Finlandën të zhvillohet në Kosovë. Ne nuk do ta tolerojmë këtë diskriminim që po u bëhet futbollistëve, e në veçanti neve tifozëve”, deklaroi Luli për gazetën.
Sidoqoftë, ai ka ende shpresa që ndeshjet e fundit me Finlandën dhe Ukrainën të luhen në territorin e Kosovës. Të paktën kështu u është thënë. “Megjithatë, nuk ka ende vendim që do të luajmë 100 për qind në Shkodër, sepse në opsion mbetet Mitrovica. Kështu të paktën na është thënë nga Ministria e Sportit. Po shpresojmë dhe besojmë që ndeshjet me Finlandën dhe Ukrainën të luhen në Kosovë. Jemi duke pritur se çka po ndodh”, përfundoi kreu i “Dardanëve”.