Numrat e legjendarit Messi

Sport June 24, 2017 - 10:47

Sot Lionel Messi mbush 30 vjet. Uebafqja prestigjioze “Sky Sport” ka përgatitur 30 statistika fantastike në 30-vjetorin e lindjes së yllit të Barcelonës. Prej tridhjetë statistikave ne kemi zgjedhur ato më interesantet, shkruan sot, gazeta Zeri

Numri 30: Meqë Lionel Messi sot mbush 30 vjet është më se normale që të fillojmë me këtë numër. Në debutimin e tij me Barcelonën më 16 tetor të vitit 2004, argjentinasi kishte fanellën e veshur me numrin 30.

Deco del, Messi hyn: Në debutimin e tij të parë me Barcelonën Messi kishte zëvendësuar ish-reprezentuesin portugez Deco, i cili në atë kohë ishte njëri ndër futbollistët më të mirë të Barcelonës. Deco ishte bashkuar me Barcelonën pas fitimit të Ligës së Kampionëve me Porton në vitin 2004.

1 maj, 2005: Shtatë muaj pas debutimit me katalunasit, Messi shënoi golin e parë me Barcelonën në ligën spanjolle në ndeshjen ndaj Albacetes. Në atë kohë Messi u bë futbollisti më i ri që kishte shënuar me fanellën e Barcelonës.

I ndëshkuar pas 90 sekondash: Në moshën 18-vjeçare Messi bëri debutimin e tij me përfaqësuesen e Argjentinës. Zgjati vetëm 90 sekonda. Pas inkuadrimit në lojë në pjesën e dytë në ndeshjen ndaj Hungarisë Messi u faulua nga Vilmos Vanczak dhe shprehi revoltën e tij ndaj hungarezit, e cila pasoi me ndëshkimin e tij me kartonin e kuq.

Medalja e artë Olimpike: Në trofetë e shumta të fituara nga Messi, në kabinetin e trofeve të tij ka edhe një medalje të artë Olimpike me Argjentinën, të fituar në vitin 2008.

Rekordi i thyer 60-vjeçar: Në mars të vitit 2012 argjentinasi theu rekordin e golave 60-vjeçar të Cesar Rodriguezit, kur realizoi golin e 233-të në ndeshjen ndaj Grandadës në ligën spanjolle.

Rekordi botëror i Guinness: Viti 2012 doli të jetë shumë i suksesshëm për Messin në aspektin personal. Messi arriti që atë vit të realizojë 91 gola, duke thyer kështu rekordin e mbajtur nga gjermani Gerd Muller, i cili kishte arritur të realizonte 85 gola gjatë vitit 1972.

Mbreti i botës për pesë herë: Messi ka fituar pesë herë trofeun e “Topit të Artë”.

Një sezon pa trofe: Messi ka mbetur pa fituar trofe me Barcelonën vetëm gjatë edicionit 2007/2008. Barcelona ishte renditur në vendin e tretë në Spanjë dhe ishte eliminuar në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit dhe asaj të Ligës së Kampionëve.

30 tituj deri më tani: Deri më tani Lionel Messi ka fituar 30 trofe me fanellën e Barcelonës.

Katër finale të humbura me Argjentinën: Pavarësisht sukseseve me klubin e Barcelonës fati nuk e përcjelli Messin edhe me përfaqësuesen e Argjentinës. Messi ka dështuar një herë në finalen e Botërorit të vitit 2014 dhe në tri finale të Kupës së Amerikës, në vitet 2007, 2015 dhe 2016.

565 në 701: Messi është një makineri e golave. Reprezentuesi argjentinas ka arritur të realizojë 565 gola në 701 paraqitje për klubin dhe për përfaqësuesen e tij. 507 prej tyre i ka realizuar në vetëm 583 paraqitje me fanellën e Barcelonës.

349 gola në La Liga: Asnjë lojtar nuk ka më shumë gola se Messi në ligën spanjolle. Ai theu rekordin e Telmo Zarras në vitin 2015, kur realizoi golin e tij të 252-të ndaj Sevillës.

74 penallti: Messi ka shënuar 74 penallti për Barcelonën dhe Argjentinën, kurse ka humbur 20 sosh.

88 gola gjatë zonës: 88 prej 565 golave të realizuar, Messi i ka shënuar jashtë zonës së 16-metërshit.

40+ prej edicionit 2008/2009: Që prej edicionit 2008/2009 Messi ka shënuar mbi 40 gola në vit.

4 x 4: Messi ka arritur të shënojë 4 gola në katër raste të ndryshme. Tre prej tyre i ka realizuar në La Liga ndaj Valencias, Espanyolit dhe Osasunas, kurse katër gola i ka shënuar edhe ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve./Zeri/.