Dështimi i madh i shtetit

Sport June 23, 2017 - 14:31

Shteti e ka shënuar njërin prej dështimeve më të mëdha në sport. Përfaqësuesja e Kosovës do ta kryejë kampanjën kualifikuese të Botërorit pa e zhvilluar asnjë ndeshje në territorin e saj. Stadiumi i Prishtinës nuk do të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare as në vjeshtën e ardhshme, përkundër premtimeve dhe garancive të shumta publike që kanë dhënë Qeveria dhe Ministria e Sportit. Derisa këto të fundit javë më parë çuditën kur thanë se në stadium janë kryer 70 për qind të punimeve, Federata e Futbollit e Kosovës e ka rezervuar stadiumin e Shkodrës për të luajtur kundër Finlandës në shtator dhe Ukrainës në tetor

Ministria e Sportit javë më parë kishte dalë me një deklaratë qesharake, duke theksuar se 70 për qind të punimeve në stadiumin e qytetit në Prishtinë janë kryer.

Ky pretendim i kishte lënë gojëhapur të gjithë ata që janë në rrjedha, pasi që deri vonë në stadiumin e kryeqytetit shpeshherë dëgjohej vetëm një çekan duke kërcitur dhe punimet shkonin me hapa të breshkës.

Ato kanë nisur moti, por vetëm në këtë kohën e fundit janë zhvilluar me intensitet më të madh, shkruan sot gazeta Zëri.

Punimet kanë nisur më shumë se një vit më parë, me një investim prej afro 8 milionë eurosh, të sponsoruara nga Ministria e Sportit me 75 për qind dhe me 25 për qind tjera nga Komuna e Prishtinës.

Kjo ngecje e madhe e punimeve i ka ardhur në maje të hundës edhe Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila është detyruar ta marrë një vendim aspak të dëshiruar për tifozët e futbollit.

Në fakt, shtëpia e futbolli ka vendosur që ndeshja e 6 tetorit ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe Ukrainës të luhet përsëri në Shkodër, respektivisht në stadiumin “Loro Boriçi”, edhe pse ishte paraparë që ndeshja me Turqinë të ishte e fundit që luhet në këtë stadium.

Kjo nënkupton se edhe ndeshja me Finlandën, e paraparë të luhet më 5 shtator në Kosovë, do të luhet në Shkodër.

“Po, ndeshja me Ukrainën do të luhet në Shkodër. Ka premtime se renovimi i stadiumit të Prishtinës do të përfundojë me kohë, para lojës së 6 tetorit, por ne nuk guxojmë të rrezikojmë”, ka deklaruar FFK-ja për “Zërin”.

Këtë e ka konfirmuar edhe Përfaqësuesja e Ukrainës përmes rrjetit social “Facebook”.

“Federata e Futbollit të Kosovës na ka njoftuar se Kosova do ta presë ekipin tonë në vendin fqinj. Ndeshja do të zhvillohet në Shkodër, një stadium i rikonstruktuar së fundmi dhe që pranon 16.000 spektatorë”, shkruajnë ukrainasit.

“Kujtojmë faktin se Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës në nivelin diplomatik dhe ndeshja e parë në mes të këtyre dy përfaqësueseve ishte zhvilluar në Poloni”, shtojnë ukrainasit.

Image

Alaj: Punimet do të kryhen me kohë

Në momentin kur ishte marrë vendimi për renovimin e stadiumit të qytetit në Prishtinë, pushtetarët rrihnin gjoks dhe ishin të bindur se punimet do të kryheshin me kohë, në mënyrë që, që nga shtatori 2017, Kosova të luajë në “folenë e saj”.

Premtimet shkonin gradualisht duke u shtyrë sa i përket afatit. Fillimisht thuhej se punimet do të kryheshin gjatë verës, e më pas në muajin shtator.

Megjithatë drejtori i Departamentit të Sportit pranë Ministrisë së Sportit, Ibër Alaj, insiston prapë se renovimi do të kompletohet me kohë, ani pse Kosova përfundimisht nuk do ta luajë në territorin e saj asnjë ndeshje kualifikuese të kësaj kampanje.

“Ne do t’i kryejmë të gjitha punimet me kohë. Do të punojmë deri në dakikun e fundit. Do ta mbyllim planin dinamik për ta bërë stadiumin gati për kategorinë e katërt, që ia mundëson Përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë ndeshje zyrtare. Megjithatë, në fund vendos Federata se ku do t’i luajë ndeshjet Përfaqësuesja”, u shpreh Alaj për “Zërin”.

I pyetur javë më parë nga gazeta nëse rënia e Qeverisë do të ndikonte në ngecjen e punimeve, ai ishte kategorik se kjo nuk do të ndodhë, madje nuk e kishte pëlqyer fare këtë pyetje.

Mirëpo, tash, ai i ka zbutur fjalët dhe e pranon se një gjë e tillë mund të ndikojë në vonesa tek punimet.

“Kjo ndikon natyrisht, për shkak se vendimmarrja është më e kufizuar sepse Qeveria është në detyrë. Duhet të bëhet rishikimi i buxhetit, etj”, vazhdoi Alaj.

Me siguri “Dardanët”, por edhe të gjithë tifozët e Kosovës, kanë mbetur të zhgënjyer me ta marrë vesh këtë lajm, pasi ata po shpenzojnë energji dhe para duke udhëtuar vazhdimisht drejt Shkodrën për Kosovën.

Madje, kohëve të fundit vërehet rënie e madhe e interesimit të tifozëve. /Zëri/