16 vjeç në Europa League!

Sport June 23, 2017 - 14:23

Deri dje secili futbollist ëndërronte që sa më herët të ikte nga Kosova në mënyrë që ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, duke e pasur parasysh se futbolli kosovar ishte i izoluar totalisht.

Kosova nuk ofronte pikë shprese për ta, shkruan sot gazeta Zëri.

Ata nuk shihnin të ardhme në futbollin vendor dhe më shumë luanin sa për hobi, ngase lojtarët i kishte kapluar monotonia duke luajtur çdo vit ndaj skuadrave të njëjta, pa e pasur mundësinë ta tregojnë veten në arenën ndërkombëtare.

Image

Por, tash gjërat kanë nisur të ndryshojnë sepse edhe përmes Kosovës të rinjëve do t’u hapen dyert dhe do t’u jepet mundësia që të luajnë në garat evropiane apo të shihen nga klubet e huaja.

Rasti konkret është ai i Bleon Sekiraqës, supertalentit prishtinas, i cili është grumbulluar në mesin e 20 futbollistëve që do të luajnë në Europa League, në ndeshjen e 29 qershorit, si mysafirë të Norrkopingut, në ndeshjen e vlefshme për rrethin e parë preliminar. 

Ai është vetëm 16 vjeç. Andaj nuk është e thënë që të luajë gjithsesi, vetëm përfshirja e tij në protokollin e një ndeshjeje zyrtare evropiane dhe shijimi i saj do të thotë shumë për të.

Image

Sekiraqa mendon se tash e tutje të rinjtë mund t’i demonstrojnë vlerat e tyre edhe duke luajtur në klubet kosovare me pjesëmarrjen e tyre në gara evropiane dhe me zhvillimin e ndeshjeve miqësore të nivelit ndërkombëtar.

“Po besoj se tash futbollistëve të rinj do t’u jepet rasti më shumë ta tregojnë veten edhe duke luajtur në klubet kosovare. Tash e tutje mund t’i shfaqin vlera duke luajtur në kompeticione si Champions League dhe Europa League”, deklaroi fillimisht Sekiraqa për “Zërin”.

“Ky rast po më jepet edhe mua dhe për këtë i jam falënderues ekipit dhe trajnerit që ma kanë dhënë mundësinë që ta tregoj talentin tim”, nënvizoi ai.

Bleoni është i gatshëm që të sakrifikojë gjithçka nga vetja për ekipin nëse i jepet ndonjë minutë në këmbët e tij në duelet me ekipin suedez.

“Është një ndjenjë shumë e veçantë dhe normalisht jam i gatshëm që ta ndihmoj ekipin, qoftë edhe për pak minuta”, vazhdoi Sekiraqa, i cili ishte pjesë e FC Prishtinës edhe në disa turne në Gjermani. /Zëri/

Image