Shqiptarë e serbë, mos u urreni në mes vete

Sport June 23, 2017 - 14:18

Hasmëria në mes të popujve të ish-Jugosllavisë vazhdon të jetë prezente ndër gjenerata, shkruan sot gazeta Zëri.

E njëjtë vazhdon të jetë edhe ajo në mes të serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, së fundmi po merren iniciativa të ndryshme sportive dhe artistike, në mënyrë që të largohet urrejtja në mes të këtyre dy popujve, e ndjellë edhe në gjeneratat e reja, që kanë lindur pas luftës së fundit në Kosovë dhe ish-Jugosllavi në përgjithësi.

Ish-reprezentuesi i Jugosllavisë në boks, Fatmir Makolli, thotë se sportistët e ish-Jugosllavisë janë të dashur dhe të respektuar, pavarësisht nacionalitetit të tyre dhe se gjeneratat e reja duhet të vazhdojnë të veprojnë kështu.

Sipas ish-kryetarit të Federatës së Kick-Boksit të Kosovës, janë prindërit ata që duhet t’ju japin shembull fëmijëve të tyre, pasi kjo është mënyra më e mirë për ta eliminuar urrejtjen, shkruan e përditshmja serbe, “Blic”.

“Prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre për ta larguar urrejtjen dhe ne shqiptarët por edhe ju serbët duhet t’i mësojmë fëmijët tanë që ta respektojnë tjetrin, pa marrë parasysh diferencën etnike”, theksoi Makolli.

Ndërkohë është promovuar filmi dokumentar “Indirekt”, i cili flet për bashkëpunimin e ish-përfaqësuesve të boksit dhe futbollit të Serbisë dhe Kosovës, në të kaluarën dhe sot.

“Këto emocione që i ndiej sot, i kam ndier edhe 30 vjet më parë. Ishim miq, ishim sikur vëllezër, pavarësisht se kemi pasur një betejë të ashpër. I jepnim mbështetje njëri-tjetrit. Kjo miqësi ka qenë e gjatë dhe e palëkundur në mes boksierëve, sepse nata janë njerëzit më besnikë. Nuk ishte vetëm respekt, por ne e donim njëri-tjetrin vërtet”, ka shtuar Makolli pas filmit, bashkautor të krijimit të së cilit ishin Taulant Osmani dhe Darko Shper. /Zëri/