Top–portierët e botës

Sport June 23, 2017 - 13:01

Portierët kanë qenë mjaftë shumë të pranishëm në lajme gjatë kohëve të fundit. A e keni vërejtur? Prej “tradhtisë” së Gianluigi Donnarummas ndaj Milanit e deri tek transferimi prej 35 milionë funteve të portierit të Benficas, Ederson nga Manchester City. Uebfaqja “Bleacherreport” ka përpiluar listën e portierëve më të mirë në botë momentalisht. Parametri kryesor i kësaj liste qëndron tek paraqitjet e portierëve gjatë edicionit të kaluar 2016/2017, shkruan sot gazeta "Zëri".

1. Manuel Neuer, Bayern Munich

Siç edhe pritej, Manuel Neuer prin në këtë listë. Numri një i Bayern Munichut dhe i përfaqësueses së Gjermanisë konsiderohet portieri më i mirë në botë nga shumë tifozë të futbollit. Është e pamundur të mos e vëresh në fushë portierin gjerman, sidomos për stilin e lojës së tij. Neuer është mbreti i portierëve për një dekadë.

2. Jan Oblak, Atletico Madrid

Klubi spanjoll shquhet për mbrojtje të fortë, por ka edhe një portier fantastik të kalibrit botëror. Edhe nëse ndonjë futbollist arrin që të tejkaloj mbrojtjen e spanjollëve do ta ketë të vështirë të mposhtë Jan Oblakun. Slloveni është guardian i vërtet i zonës së tij dhe ka reflekse të jashtëzakonshme.

3. David De Gea, Manchester United

Të vendosësh mes Davide de Geas dhe Gianluigi Buffonit për vendin e tretë ishte shumë e vështirë. Por ekziston një arsye se pse futbollisti dëshirohet aq shumë nga Real Madridi. Ai është një portier fantastik, njëri ndër portierët më me finesë në botë. Edicionin e kaluar e dëshmoi veten në momentet kur duhet dhe e bëri atë në mënyrën më të mirë të mundshme.

4. Gianluigi Buffon, Juventus

Edhe pse në një moshë mjaftë të shtyer, 39-vjeçari, Gianluigi Buffon ende bën pjesë në top-pesëshen e portierëve më të mirë në botë. Ka dëshmuar paraqitje të mrekullueshme që prej debutimit të tij në vitin 1995. Për dikë Buffon ende është numri. Gjithmonë ka pasur mbrojtje të shkëlqyeshme, por edhe ai me pritjet e tij e ka treguar veten më së miri. I vetmi peng në karrierën e tij është mos fitimi i Ligës së Kampionëve. Buffon ka dështuar në tre finale të këtij kompeticioni.

5. Samir Handanoviç, Inter

Në pesëshen tonë bën pjesë edhe njëri prej portierëve më të nënvlerësuar, siç është rasti i Samir Handanoviçit. Prezenca e tij në këtë listë, e çon në dy numrin e portierëve slloven në top-pesëshe. Gjatë edicionit të kaluar Handanoviç ishte arsyeja kryesore në mos turpërimin e Interit. Shpeshherë ka qenë vendimtar me pritjet e tij.

6. Thibaut Courtois, Chelsea

Thibaut Courtois ende nuk ka arritur majat tek Chelsea, siç i kishte arritur te Atletico Madridi. Por, mbetet një pjesë e rëndësishme të ekipit të Antonio Contes. Dominues në zonë dhe mjaftë i mirë me daljet e tij. Periudhën më të keqe në karrierë e pati gjatë edicionit 2015/2016, kur Chelsea në krye me Jose Mourinhon patën një sezon katastrofal. Sidoqoftë belgu ka pasur paraqitje mjaftë të mira gjatë 18 muajve të fundit.

7. Marc-Andre ter Stegen, Barcelona

Ter Stegen shihet si portieri i dytë më i mirë gjerman. Nuk mund të presësh më shumë nga portieri i Barcelonës. Është një portier me një teknikë të mirë. Ofron siguri dhe është një kapës i mirë i topave.

8. Hugo Lloris, Tottenham

Tottenhami është skuadra me më së paku gola të pësuar gjatë edicionit të kaluar në Premierligë. Skuadra angleze ka një mbrojtje të mirë, por edhe nëse dështojnë aty është francezi Lloris. E vetmja mangësi e tij është degazhimi i topave.

9. Gianluigi Donnarumma, AC Milan

Donnarumma ka qenë pjesë e vëmendjes së mediave gjatë kohëve të fundit pas refuzimit të kontratës së re me Milanin. Italiani 18-vjeçar ka treguar paraqitje të jashtëzakonshme. Paramendojeni se ku do të jetë ai pas pesë vitesh. Një portier i gjatë, me aftësi të jashtëzakonshme dhe i vështirë për tu mposhtur.

10. Keylor Navas, Real Madrid

Real Madridi dëshiron që ta zëvendësoj Navasin, gjë e cila ndonjëherë duket mjaftë e çuditshme. Reprezentuesi i Kosta Rikës ka qenë pjesë kyçe e sukseseve të Real Madridit. Pati një fillim të dobët gjatë edicionit të kaluar por arriti që të kthehej në formë në momentet vendimtare të stinorit./Zëri