Adoleshentët me vlera qindramilionëshe

Sport June 22, 2017 - 11:57

Ju mund të fitoni me fëmijë. Manchester United i vitit 1992 dhe Ajaxi i drejtuar nga Louis Van Gaal e dëshmuan këtë.

Por, zakonisht yjet e rinj kishin pasur një ndihmë prej futbollistëve më me përvojë siç ishin Eric Cantona dhe Frank Rijkaard, të cilët luajtën rol kyç në sukseset e klubeve të tyre respektive.

Por çfarë do të ndodhte nëse do të kishim një formacion të përbërë prej futbollistëve adoleshentë? Çfarë do të mundë të arrinin? Gazeta prestigjioze “Mail”, përcjellë Zëri, ka përgatitur një formacion me adoleshentët e momentit, vlera e të cilëve e arrin 500-milionëshin.

Gianluigi Donnarumma, Milan, 18-vjeçar

Vendimi i tij për të mos rinovuar kontratën me Milanin ka sjellë pakënaqësi të madhe të tifozëve të klubit italian, të cilët hodhën para në portën e italianit në ndeshjen mes Italisë dhe Danimarkës për moshat 21-vjeçare. Shihet si pasardhësi i Gianluigi Buffonit dhe shumë klube evropiane janë vënë pas tij.

Axel Tuanzebe, Manchester United, 19-vjeçar

Mbrojtësit i është dashur të mungonte në Botërorin për moshat e 20-vjeçarëve për shkak të finales së Ligës së Evropës me skuadrën e Manchester Unitedit. Nënshkroi kontratë të re trivjeçare me klubin anglez.

Filip Benkoviç, Dinamo Zagreb, 19-vjeçar

Qendërmbrojtësi tashmë ka treguar veten e tij në ballafaqimet me Alexandre Lacazette dhe Gonzalo Higuain në Ligën e Kampionëve dhe tashmë ka tërhequr interesimin e klubeve britaneze si Celtic dhe Newcastle United. Vlera e tij besohet të jetë rreth 25 milionë funte. I konsideruar si mbrojtësi më premtues ne Evropë, Benkoviç është krahasuar edhe me mbrojtësin e Borussia Dortmundit, Mats Hummels.

Ryan Sessegnon, Fulham

Tashmë ka arritur t’i bëjë 30 paraqitje me ekipin e parë të Fulhamit dhe sapo ka mbushur 17 vjet. Mbrojtësi i majtë konsiderohet si pasardhësi i Ashley Colet. Liverpool dhe Tottenham kanë shprehur interesim për talentin. Sessegnon shënoi shtatë gola gjatë edicionit të kaluar, një shenjë që tregon edhe për aftësitë e tij sulmuese.

Renato Sanchez, Bayern Munich, 19-vjeçar

Futbollisti u transferua te Bayern Munichi gjatë verës së kaluar pas një sezoni fantastik me Benfican dhe me përfaqësuesen e Portugalisë. Ka hasur paksa në vështirësi tek gjermanët, sidomos për shkak të gjuhës. Momentalisht është pjesë e përfaqësueses së Portugalisë në Kampionatin Evropian për 21-vjeçarë.

Tom Davies, Everton, 18-vjeçar

Nipi i ish-yllit të Evertonit dhe Crystal Palacet, Alan Whittle ka arritur që të zërë vend në ekipin e Ronald Koemanit. Kishte fituar çmimin e lojtari të ndeshjes pas performancës ndaj Manchester Cityt, ndeshje në të cilën kishte shënuar golin e tretë. 

Christian Pulisiç, Borussia Dortmund, 18-vjeçar

Shpresa e madhe e futbollit amerikan Pulisiç tashmë ka bërë më shumë se 50 paraqitje për Borussia Dortmundin. Luan si anësor i majtë, por mund të luajë edhe në qendër, gjë të cilën e dëshmoi në ndeshjen e Borussia Dortmundit ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve.

Kylian Mbappe, Monaco, 18-vjeçar

Adoleshenti më i kërkuar në planet. Shënoi 24 gola me Monacon gjatë edicionit të kaluar dhe gjithashtu u bë lojtari më i ri që shënon në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Tashëm është pjesë edhe e përfaqësueses së Francës.

Vinicuus Junoir, Flamengo/Real Madrid, 16-vjeçar

Presioni mbi yllin e ardhshëm brazilian është i madh. Real Madridi e transferoi lojtarin për 40 milionë funte. Futbollisti do t’u bashkohet madrilenëve në vitin e ardhshëm. Sulmuesi shquhet për shpejtësi të madhe dhe “nuhatje” të golit.

Kasper Dolberg, Ajax, 19-vjeçar

I zhgënjyer në finalen e Ligës së Evropës ndaj Manchester Unitedit, por kjo nuk ia heq paraqitjet e mrekullueshme gjatë gjithë edicionit me fanellën e Ajaxit. Dolberg ishte golashënuesi më i mirë i Ajaxit në Holandë me gjithsej 16 gola.

Marcus Rashford, Manchester United, 19-vjeçar

Shënoi katër gola në dy paraqitjet e tij të para me Manchester Unitedin dhe kontribuoi me një gol në finalen e Ligës së Evropës. Është duke shkuar drejt rrugës për të qenë ylli i përfaqësueses së Anglisë në Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi. /Zëri/

Image