Kosova ankohet midis Brukselit

Sport June 22, 2017 - 11:38

Kosova ka stagnuar shumë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e saj dhe kjo po u shkakton shumë probleme edhe sportistëve kosovarë.

Siç dihet, për klubet sportive dhe sportistët e Kosovës janë krijuar rrethana të reja me rastin e ndërkombëtarizimit të sportit, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubet dhe sportistët janë të obliguar të dalin jashtë vendit për pjesëmarrje në ngjarje sportive, të cilat u ndodh edhe t’i humbasin për shkak se nuk kanë viza, nuk i përmbushin kushtet për t’i marrë ato në ambasadat e huaja në Prishtinë, apo edhe u refuzohen kërkesat për t’i marrë ato.

Për këtë problem shqetësim ka shprehur presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, gjatë pjesëmarrjes në Mbrëmjen e Pestë Evropiane të Sportit, të cilën e kanë organizuar në Bruksel Komiteti Olimpik Evropian dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Ankesën e Hasanit e ka dëgjuar edhe kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Thomas Bach, që ishte i pranishëm në këtë mbrëmje.

Numri 1 i sportit kosovar ua ka bërë me dije evropianëve se probleme serioze për sportistët dhe klubet e Kosovës po paraqesin sidomos shtetet që nuk e kanë njohur akoma shtetin e ri evropian, të cilat nuk i pranojnë në territoret e tyre sportistët me pasaporta të Republikës së Kosovës.

“E theksova shqetësimin e federatave sportive të Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen sportistët, klubet dhe federatat e Kosovës lidhur me ngjarjet e ndryshme sportive të cilat mbahen në shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke marrë shkas nga Federata e Tenisit dhe Federata e Boksit e Kosovës. Sportistët e këtyre dy federatave nuk u lejuan të udhëtojnë në Moldavi e në Ukrainë me arsyetimin se ministritë e Punëve të Jashtme të tyre kanë penguar dhënien e vizave për shtetasit e Kosovës”, ka deklaruar Hasani.

Ndërkohë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK) ka kërkuar nga KOK-u që ta lajmërojë me kohë për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e në të cilat planifikohen zhvillimi i garave ndërkombëtare, me qëllim që KON-i të intervenojë dhe t’ua mundësojë kosovarëve futjen në territoret e atyre shteteve. Këtë ia ka thënë Hasanit vetë presidenti i KON-it, Thomas Bach. /Zëri/