Nis epoka evropiane

Sport June 20, 2017 - 11:49

Kosova mbetet larg në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mirëpo në hartën e futbollit Kosova është bërë përfundimisht Evropë. Pritjes me dekada i erdhi fundi të hënën kur UEFA i përfshiu në short dy klube të Kosovës për kupa evropiane. Trepça ’89 kishte më shumë fat, i cili i mungoi FC Prishtinës në Nyon. Mitrovicasit në rrethin e parë të Championsit do të kenë punë me Vikingurin e Ishujve Faro, kurse prishtinasit aventurën në Europa League do ta nisin përballë kampionit të trembëdhjetëfishtë suedez, Norrkopingut me përvojë

Trepça ’89 dhe FC Prishtina do ta thyejnë akullin këtë muaj duke i dhënë fund izolimit shumëvjeçar të futbollit kosovar.

Dy ekipet kosovare i kanë mësuar të hënën emrat e kundërshtarëve të fazës së parë preliminare të Ligës së Kampionëve, respektivisht Europa Leagues, në shortin e hedhur në Nyon të Zvicrës.

Mitrovicasit kishin fat të mirë në short, derisa Bardhekaltrit do të kenë punë shumë më të vështirë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lehtë për Trepçën ‘89

Kampioni i Kosovës, Trepça ’89 do të ketë punë me kampionin e Ishujve Faro, Vikingur. Ndeshja e parë do të luhet në Ishujt Faro më 28 ose 28 qershor, derisa ajo e kthimit pas një jave më 4 ose 5 korrik, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Mitrovicasit janë ndarë të kënaqur me shortin dhe janë shprehur optimistë se mund të kalojnë në rrethin e dytë të garave. Aktualisht, ata janë duke u përgatitur në Slloveni për t’i përballuar sa më mirë sfidat evropiane.

Sa i përket ekipit kundërshtar të mitrovicasve, Vikinguri është një klub gjysmëprofesionist nga Ishujt Faro, i themeluar në vitin 2008 nga bashkimi i dy klubeve Gi Gota dhe Leirvik.

Në vitin 2016 Vikinguri fitoi titullin e parë në histori, ndërsa më parë e kishte fituar 5 herë kupën dhe 3 herë Superkupën e Ishujve Faro. Për ekipin nga Ishujt Faro luajnë dy futbollistë serbë, prandaj ky fakt pritet ta bëjë edhe më “të nxehtë” ndeshjen e kthimit në Mitrovicë.

Shumë vështirë për FC Prishtinën

Më vështirë sesa “Xehetarët” në Evropë do ta kenë Bardhekaltrit. FC Prishtina do të ketë punë me ekipin suedez, IFK Norrkoping, i cili njihet si njëri prej klubeve më të mëdhenj në vendin skandinav.

Sidoqoftë, kryeqytetasit zotohen se do ta japin më të mirën nga vetja për t’u përfaqësuar sa më denjësisht në Europa League.

“Është një kundërshtar shumë i fortë pa diskutim, njëri prej ekipeve më të forta të Suedisë, që vitin e kaluar ishte kampion. Për FC Prishtinën është një pjesëmarrje historike dhe për mua është privilegj që si trajner ta drejtoj këtë ekip në periudhën e historisë. Ne do ta analizojmë lojën e kundërshtarit në ditët në vazhdim dhe do të mundohemi të jemi një ekip i fortë, duke dhënë gjithçka nga vetja. Do ta bëjmë më të mirën”, u shpreh për “Zërin” trajneri Arsim Thaçi.

Kur jemi të kundërshtari i prishtinasve, IFK Norrkoping është klub me përvojë dhe traditë, i themeluar më 29 maj 1897, derisa ka fituar plot 13 tituj kampioni të Suedisë dhe e ka fituar gjashtë herë Kupën e shtetit.

Kjo skuadër e kishte fituar titullin e kampionit suedez për herë të fundit në vitin 2015, ndërsa sezonin e fundit e mbyllën në pozitën e tretë, kurse në sezonin aktual zë vendin e dytë në Allsvenskan.

Ky ekip ka përvojë me pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve dhe Europa League dhe është njëri prej klubeve më të mëdhenj në Suedi.

FFK-ja për ’89-shin e Prishtinën

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e mirëpret debutimin e skuadrave kosovare në garat evropiane pas pritjes prej dekadash.

Shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar të hënën në detaje rreth ndeshjeve dhe kundërshtarëve të dy ekipeve kosovare, Trepça ’89 dhe FC Prishtina, duke e konsideruar këtë si një “debutim historik në garat evropiane”.

Image

Bota flet për Kosovën

Mediet e huaja i kanë vënë theks të veçantë të hënën pjesëmarrjes së parë dhe historike të klubeve kosovare në garat evropiane.

“Trepça ’89 e bën debutimin në Champions League”, shkruan gjiganti mediatik “Reuters”. Ndërkaq mediet suedeze janë marrë me përballjen në mes skuadrës së këtij vendi, Norrkoping, me FC Prishtinën.

Uebfaqja suedeze “nt.se” ia ka kushtuar një shkrim këtij dueli, duke e përmendur historinë e Bardhekaltërve dhe debutimin e tyre në Evropë pas pritjes së gjatë.

Për duelet me skuadrat respektive, në uebfaqet e tyre zyrtare kanë shkruar edhe Vikingur dhe Norrkopingu, duke përmendur faktin se do të ballafaqohen me ekipe që do të debutojnë në garat evropiane.

’89-shi e Prishtina i dinë edhe kundërshtarët e dytë

Nëse Trepça ’89 e kalon rrethin e parë të Championsit, në të dytin do të përballet me ekipin islandez, FH Hafnarfjordur. Ndërkohë, nëse prishtinasit kalojnë në fazën e dytë të Europa Leagues luajnë me fituesin e duelit tjetër ndërmjet ekipit skocez, Saint Johnstone apo atij lituanes FK Trakai.

E nisin në udhëtim

Të dyja skuadrat, Trepça ’89 dhe FC Prishtina, ndeshjet e para në garat evropiane do t’i luajnë në udhëtim, mitrovicasit më 27 ose 28 qershor në Ishujt Faro, derisa prishtinasit më 29 qershor në Suedi.

E ndeshjet e kthimit do t’i luajnë si vendës në “Adem Jashari” në Mitrovicë ’89-shi më 4 ose 5 korrik e Bardhekaltrit më 6 korrik. /Zëri/

Image