Leci dhe Bunjaki, 'spiunët' e Prishtinës

Sport June 20, 2017 - 11:43

Liridon Leci është njëri prej futbollistëve më të mirë të FC Prishtinës, shkruan sot gazeta Zëri.

Por mbrojtësi anësor pritet të jetë akoma më i rëndësishëm në dy ndeshjet e rundit të parë të kualifikimeve për Europa League që FC Prishtina do t’i zhvillojë kundër Norrkopingut, i cili sivjet po e kërkon titullin e 14-të të kampionit në Suedi.

Kjo skuadër mund të jetë goxha e panjohur për prishtinasit, por jo edhe për Lecin, i cili ka luajtur disa herë kundër Norrkopingut.

Ai e njeh goxha mirë këtë klub të njohur skandinav, por edhe futbollin suedez në përgjithësi, ku pati luajtur vite më parë.

“Unë kam luajtur rreth tre vjet në Suedi dhe e njoh futbollin e Suedisë e po ashtu klubet e atjeshme. U kam thënë bashkëlojtarëve të mi në FC Prishtinë që të shpresojmë të mos na bjerë ndonjë ekip suedez sepse janë shumë të fortë. Por ja, na ra Norrkopingu”, ka deklaruar për “Zërin” ish-futbollisti i klubeve suedeze, Kalmar dhe Landskrona.

Ai e favorizon Norrkopingun karshi Prishtinës së tij. “E njoh mirë Norkpingun. Bëhet fjalë për një klub të madh suedez, i organizuar shumë mirë, që ka një stadium të mirë me bar artificial. Ka një skuadër shumë të fortë, e cila jorastësisht gjendet në krye të tabelës dhe po kërkon trofe si titullin. Është një kampion meritor, i cili në radhët e veta i ka disa lojtarë që luajnë në përfaqësuese të ndryshme”, potencoi ai.

“Dallimi në mes nesh dhe atyre është shumë i madh. Futbolli suedez është i përparuar kurse ne tashmë jemi pranuar në UEFA dhe në FIFA. Norrkopingu është favorit, por ne nuk do të dorëzohemi. Do ta japim maksimumin për ta bërë ndonjë befasi”, nënvizoi Leci.

Image

Albert Bunjaki: Lehtë për ’89-shin, vështirë për Prishtinën

Albert Bunjaki u uron suksese Trepçës ’89 dhe FC Prishtinës në gara evropiane. Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës thotë se Trepça ’89 ishte me fat në short, i cili për kundërshtar ia vendosi Vikingurin nga Ishujt Faro, shkruan Zëri.

Sipas Bunjakit, FC Prishtina ishte shumë e pafat, pasi shorti përballë ua vendosi ekipin e fortë suedez, Norrkopingun, të cilin Bunjaki e njeh më mirë sesa çdo kosovar tjetër.

“Trepça ‘89 e ka më të lehtë sesa Prishtina. Kurse Prishtina e ka shumë më problem sepse do të luajë kundër një ish-kampioni suedez, i cili një kohë ishte edhe dominues në Suedi, por tani ka nisur të ndryshojë përbërja e lojtarëve dhe normal se kjo e ndryshon skuadrën. Por, Norrkopingu mbetet i fortë”, tha Bunjaki për “Zërin”.

“Ndeshja e parë ndërmjet Norrkopingut dhe Prishtinës mund të jetë vendimtare. Nëse  Prishtina arrin ta nxjerrë një rezultat më pozitiv në Suedi, atëherë në ndeshjen kthyese në Kosovë do të ketë më shumë mundësi për të befasuar”, tha Bunjaki, i cili kërkon nga tifozët, analistët dhe mediet të mos u bëjnë presion klubeve kur dihet se kjo është hera e parë që dalin në Evropë. /Zëri/