Selektori Bunjaki komenton shortin e Trepçës ’89 dhe Prishtinës

Sport June 19, 2017 - 13:50

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, e ka komentuar shortin e Trepçës ’89 dhe FC Prishtinës, të cilat i mësuan sot emrat e kundërshtarëve të fazës së parë preliminare të Ligës së Kampionëve dhe Europa Leagues, shkruan zeri.info.

Mbi të gjitha, ai foli për kundërshtarin e FC Prishtinës, ekipin suedez, Norrkoping, pasi e njeh më mirë, për faktin se jeton në Suedi qe një kohë të gjatë.

Por, foli edhe për kundërshtarin e 89-shit, ekipin nga Ishujt Faro, Vikingur.

“Trepçës ’89 dhe Prishtinës nuk duhet t’u bëhet presion, por duhet t’u jepet kohë sepse është hera e parë që dalin në Evropë, për çka jam i gëzuar shumë. Trepça ’89 e ka shumë më të lehtë sesa Prishtina sepse luan me ekipin e njërit prej vendeve të fundit në ranglistën e futbollit, kështu që 89-shi do të duhej ta kalonte grupin”, shprehet fillimisht Bunjaki për “Zërin”.

“Kurse, FC Prishtina e ka shumë më vështirë sepse do ta ketë kundër një ish-kampion suedez, i cili ishte edhe dominues në Suedi, por tani ka nisur të ndryshojë në përbërjen e lojtarëve dhe normal se ndryshon. Loja e parë do të jetë vendimtare. Nëse Prishtina nxjerr ndonjë rezultat pozitiv, atëherë ka gjasa të befasojë në lojën e kthimit. Por, nëse ndodh e kundërta, do ta ketë tepër problem. Loja e parë vendos shumëçka”, përfundoi Bunjaki. /Zëri/