Këshillat e legjendës botërore për Kosovën

Sport June 19, 2017 - 11:29

Ka dëgjuar për Kosovën. Madje është i gatshëm të vijë nga Brazili në Prishtinë për të na dhënë këshilla se si ta zhvillojmë futbollin në vendin tonë. Thotë se nëse kosovarët duan, atëherë është i gatshëm t’ua bëjë edhe një akademi allabraziliane. Ose disa të rinj kosovarë mund t’i dërgojë në klube braziliane për të ushtruar. Kampioni botëror me Brazilin, shoku i Peles dhe mesfushori i krahut të majtë më i mirë në histori të futbollit, Jonas Eduardo Americo, i njohur si legjendari Edu, flet ekskluzivisht për gazetën “Zëri”

Kosova po i bën ende hapat e parë pas pranimit në UEFA dhe FIFA dhe vendi ynë ka nevojë më shumë se çdokush tjetër për këshilla dhe për të mësuar nga të tjerët.

E njëri prej atyre që është i gatshëm të ndihmojë dhe t’i tregojë të gjitha ato që i di, për vendin tonë, është edhe legjenda braziliane, Jonas Eduardo Américo, i njohur në botë si Edu.

Image

“Zëri” ka arritur ta realizojë një bisedë ekskluzive me ish-kampionin e botës në vitin 1970, i cili ka treguar se si duhet të veprojë një vend i ri për të arritur sukses në futboll, i cili konsiderohet si ambasadori më i mirë i çdo shtetit.

E kush më mirë se ai, që vjen nga një vend që futbollin e kanë me të lindur, mund të flasë për çelësin e suksesit, duke pasur po ashtu një përvojë të madhe në sportin e luajtur me këmbë.

Image

Ka dëgjuar për Kosovën, i gatshëm ta vizitojë atë

Falë mikut të tij dhe menaxherit të njohur brazilian, Joe Borbely, i cili javë më parë qëndroi në Kosovë, e me të cilin gjithashtu “Zëri” e realizoi një intervistë, Edu thotë se ka kuptuar më shumë për vendin tonë, për të cilin në të kaluarën as që ia kishte idenë se ku gjendet.

“Vetëm së fundmi kam dëgjuar për Kosovën nga miku im special dhe menaxheri personal, Joe Borbély, i cili e ka vizituar Kosovën dhe Shqipërinë, për t’i bërë disa lidhje për projekte të futbollit për të ardhmen. Por, gjatë karrierës time kam luajtur kundër ish-Jugosllavisë dhe e di se historia në Ballkan është mjaft e komplikuar për ta kuptuar ne brazilianët. E di se legjenda kosovare, Fadil Vokrri, ka luajtur për klubet e njohura Partizan dhe Fenerbahçe, ndërsa tash është president i FFK-së. Njerëz të tillë mund ta ndihmojnë shumë futbollin në vendin tuaj nga pozitat e tyre”, thotë fillimisht 67-vjeçari për “Zërin”.

Image

Ai madje shprehet i gatshëm ta vizitojë vendin tonë për t’i shpalosur ato që di.

“Jam gjithmonë i hapur për sfida të reja dhe me kënaqësi do ta vizitoja Kosovën nëse marr ndonjë ftesë ose nëse do të mund ta realizoja ndonjë projekt promocional apo ndonjë akademi braziliane të futbollit për fëmijë dhe të rinj. Unë punoj me akademi në Brazil dhe në të kaluarën kam ndihmuar me këshilla lojtarë të mëdhenj si Robinho, Neymar dhe shumë të tjerë. Është mjaft e rëndësishme për klubet që ta kenë një akademi të mirë me trajnerë të mirë dhe me staf metodik”, shprehet ai.

Image

Punoni me fëmijë

Prej këshillave kryesore të Edu është edhe puna me të rinj. Ai e sheh pikërisht aty pikënisjen e suksesit për një vend të ri si Kosova.

Ndër të tjera, nëse vjen në Kosovë premton se do ta bëjë të pamundurën që ndonjë talent kosovar ta dërgojë në Brazil për të ushtruar me klubet e njohura të këtij vendi.

“Akademitë e futbollit janë mjaft të rëndësishme. Fëmijët janë e ardhmja e futbollit dhe ata kanë nevojë për kujdesin më të mirë. Ndoshta edhe disa të rinj nga Kosova mund të vijnë në Brazil të ushtrojnë këtu dhe ta përmirësojnë kualitetin dhe ta shfaqin talentin. Dhe, nëse tregojnë potencial të madh, mund të luajnë edhe në klubet më të mëdha braziliane si Santos, Flamengo, Corinthians apo të tjera. Gjithçka është e mundshme, vetëm ndiqni ëndrrat tuaja dhe kapeni shansin e madh të jetës kur ai vjen përreth jush”, thotë ndër të tjera braziliani.

Image

Vizita e yjeve dhe legjendave ndihmon Kosovën

Në Kosovën e pasluftës shumë pak yje apo legjenda të njohura e kanë vizituar vendin tonë. Ky është një minus i madh, sipas Edu, pasi ai insiston se pikërisht vizita e futbollistëve të njohur e promovon më së miri futbollin e një shteti, por edhe vetë atë shtet.

“Është e rëndësishme të kesh promotorë të mirë me famë botërore, yje dhe legjenda. Kjo është reklama më e mirë për futbollin dhe po ashtu për vendin. Vizita e tyre mund të ndihmojë menjëherë që ta vendosni Kosovën në hartën e botës në mënyrë pozitive. Mjaft e rëndësishme është mbështetja nga Qeveria dhe politikanët, sepse kush ka fuqi ka para. Gjithashtu edhe mbështetja nga sponsorët dhe kompanitë private dhe biznesmenët e pasur. Ata investojnë dhe për kthim marrin një reklamë të klasit të parë dhe një njohje ndërkombëtare. Kjo është mënyra se si mund ta bëni futbollin më serioz dhe më popullor në Kosovë dhe t’i motivoni fëmijët dhe të rinjtë që të bien në dashuri me sportin më të bukur në botë – futbollin”, këshillon Edu.

Image

Lëreni të kaluarën, shikoni përpara

Sipas tij, në jetë është mjaft e rëndësishme të shkosh përpara dhe të mos shikosh prapa, shkruan sot gazeta Zëri.

“Dje ishte histori dhe nesër është e ardhme, vetëm kjo ka rëndësi. E njëjta gjë është edhe në futboll. Njerëzit e mëdhenj krijojnë gjëra të mëdha. Fokusohuni në gjëra pozitive, mendoni dhe punoni pozitivisht dhe rezultati i mirë do të arrijë. Ju uroj të gjitha të mirat Kosovë. Faleminderit”, përfundoi Edu.

Image

Shoku i ngushtë i Peles

I lindur më 6 gusht 1949 Edu kishte një karrierë të jashtëzakonshme. Ai e kishte nisur karrierën profesioniste si 15-vjeçar në klubin e famshëm brazilian, FC Santos.

Aty thotë se e kishte takuar Pelen, mbretin e futbollit dhe kishin luajtur së bashku në sulm për 10 vjet. Gjithashtu për ekipin kombëtar të Brazilit ka zhvilluar 57 ndeshje.

Edhe sot është miku më i mirë i Peles. Fituan shumë trofe, kupa dhe në ‘Meksika 1970’ u bënë kampionë të botës.

Image

Këtë e përshkruan si një moment mjaft special për një lojtar të ri si ai. Thotë se ishte thjesht fantastike.

Gjithashtu ka marrë pjesë në botërorin “Anglia 1966”, në moshën 16 vjeçare, si lojtari më i ri në histori të futbollit që merr pjesë në eveniment të tillë.

Ndër të tjera ka marrë pjesë edhe në botërorin “Gjermania 1974”. Në FC Santos ka luajtur 13 vjet, duke zhvilluar 584 ndeshje dhe duke shënuar 183 gola. Ka luajtur edhe për FC Tigres në Meksikë, për klubin e famshëm New York Cosmos në SHBA dhe për Corinthians Sao Paulo.

Gjithashtu është zgjedhur sulmuesi i krahut të majtë më i mirë në histori të futbollit. Në fund, ata që duan ta kontaktojnë atë, që ta ftojnë për ndonjë promocion, akademi futbolli apo oferta tjera, mund ta gjejnë në e-mailin: [email protected] /Zëri/

Image