Krejt Kosova sytë kah Nyoni

Sport June 19, 2017 - 11:09

Trepça ’89, FC Prishtina, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe e gjithë Kosova të hënën sytë do t’i kenë kah Nyoni i Zvicrës, ku UEFA do ta tërheqë shortin për përcaktimin e çifteve të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve dhe të Europa Leagues. Kjo pasi në short do të përfshihen për herë të parë në histori edhe dy klube nga Kosova, shkruan sot gazeta Zëri.

UEFA ua ka dërguar nga një shkresë kampiones dhe nënkampiones së Kosovës, përmes së cilave u ka uruar mirëseardhje në garat e saj, e po ashtu u ka dëshiruar suksese.

Përmes shkresave shtëpia e futbollit evropian ka konfirmuar se Trepça ’89 dhe FC Prishtina kanë plotësuar kriteret e përcaktuara për pjesëmarrje në fazën kualifikuese për gara evropiane.

Trepça ’89, si kampione aktuale e Kosovës, do të startojë nga rrethi i parë i fazës kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Kurse klubi më me histori në futbollin kosovar, FC Prishtina, si nënkampione e sezonit të fundit, do të startojë prej rrethit të parë të fazës eliminatore të Europa Leagues.

Mitrovicasit dhe prishtinasit të hënën do t’i mësojnë vetëm emrat e kundërshtarëve dhe do të kuptojnë nëse ndeshjet e para do t’i zhvillojnë si vendas apo si mysafirë.

Institucionet në Kosovë e kanë riparuar stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, i cili është i gatshëm për t’u shërbyer ’89-shit dhe Prishtinës në këtë cikël garues, përkatësisht për t’i pritur kundërshtarët e tyre.

Ndeshjet e para kualifikuese për Ligën e Kampionëve do të zhvillohen më 27 dhe 28 qershor, kurse ato kthyese më 4 dhe 5 korrik.

Ndërsa në Europa League ndeshjet e para zhvillohen më 29 qershor, kurse takimet kthyese pas një jave, shkruan Zëri.

Në këto gara kualifikuese do të marrin pjesë qindra skuadra. Në mesin e tyre ka edhe shumë cilësore, të njohura në futbollin evropian, apo edhe ish-pjesëmarrëse në gara finale të Ligës së Kampionëve dhe të Europa Leagues.

Në këto gara do të marrin pjesë edhe klube serbe. Por, mësohet se UEFA nuk do të shmangë çdo mundësi të takimeve ndërmjet klubeve të Kosovës me ato të Serbisë, të cilat do të mundë të prodhonin edhe trazira.

Shtatë klube shqiptare

Është paralajmëruar që UEFA do ta shmangë çdo mundësi të takimeve ndërmjet klubeve nga Kosova me ato të Serbisë shkaku i rrezikut përmbajtjesor për të prodhuar trazira.

Por, fare lehtë mund të ndodhë të ketë përballje ndërmjet klubeve shqiptare. Si asnjëherë më parë sivjet do të ketë klube shqiptare në garat e Evropës.

Trepça ’89 dhe Kukësi do të marrin pjesë në garat e Ligës së Kampionëve. Kurse FC Prishtina, Shkëndija, Skënderbeu, Partizani dhe Tirana do të përfshihen në shortin e Europa Leagues. /Zëri/