Bahtiri uron Trepça ’89 për titullin e fituar, i quan ‘luanët e mbitokës’

Sport May 28, 2017 - 20:58

Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh nënkryetar i AKR-së, Agim Bahtiri, mori pjesë në ceremoninë solemne të shpalljes kampion të Kosovës në futboll të klubit Trepça ’89. 

Për Trepçën ’89, e cila do ta shënoj historinë e Kosovës duke marrë pjesë në Ligën e Kampionëve si ekipi i parë kosovar, kryetari Bahtiri shprehu fjalë të mira, duke i quajtur lojtarët e klubit mitrovicas si “luanët e mbitokës”.

“Pas shpalljes kampion të Kosovës në futboll të Trepçës ’89, mburret e gjithë Mitrovica sepse përveç ‘luanëve të nëntokës’ që i ka në minierën e Trepçës, tash i ka edhe luanët e mbitokës që janë lojtarët e mrekullueshëm të Trepçës ’89. Drejtuesit e klubit dhe lojtarët i uroj për titullin e fituar, të cilët për një vit i kanë dhuruar emocione të jashtëzakonshme sportdashësve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës”, ka thënë i pari i Mitrovicës.

Bahtiri, i cili është edhe kandidat i AKR-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, ka treguar se nesër së bashku me kandidatin për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR, do t’i vizitoj edhe ‘luanët e nëntokës’, pra minatorët e Trepçës. /Veriu.info/