Balotelli drejt kthimit në Itali

Sport May 28, 2017 - 16:42

Sulmuesi kontrovers, Mario Balotelli, mund të kthehet sërish në futbollin italian.

Pas aventurës që e pati te skuadra franceze, Nice, flitet se ai do të kthehet sërish në Serie A, por nuk përmenden emrat e skuadra të interesuara për shërbimet e tij, transmeton "Zeri.info".

Megjithatë, mundësinë e kthimit e ka pranuar edhe menaxheri i tij, Mino Raiola.

“Balotelli vjen nga një eksperiencë shumë pozitive në kampionatin francez, ka mundësi të mira për të si në Itali, ashtu edhe në vende të tjera. Të shohim se çfarë do të preferojë ai vetë.  Tani është shumë shpejt për të bërë biseda të tilla. Na kanë ardhur disa propozime nga Italia, por për momentin nuk mund të them më shumë”, ka thënë Raiola për mediat italiane, përcjell "Zeri.info".

Ai nuk ka zbuluar diçka konkrete as për dy klientët tjerë të tij, Zlatan Ibrahimoviç dhe Gianluigi Donnarumma. /ZËRI/