Lum Ragipi për djemtë e tij

Sport May 28, 2017 - 11:55

Ragip Xhaka po bën “lum” për dy djemtë e tij – Taulantin dhe Granitin. Dy futbollistët e famshëm kosovarë po jetojnë larg njëri-tjetrit, Taulanti në Zvicër kurse Graniti në Angli. Por, kjo nuk po i pengon vëllezërit Xhaka që të korrin suksese të reja e të mëdha në karrierën e tyre, raporton "Zëri".

Fillimisht reprezentuesi i Shqipërisë, Taulanti, me Baselin e tij i fitoi dy trofetë kryesorë në Zvicër – titullin e kampionit dhe Kupën. Ndërsa, përfaqësuesi i Zvicrës, Graniti, me Arsenalin e tij të shtunën e fitoi Kupën e Anglisë (FA Cup). Këto rezultate të vëllezërve Xhaka duket se e kanë kënaqur më shumë babain e tyre, Ragipin, sesa vetë futbollistët me prejardhje nga Prishtina.

“Ndihem shumë krenar me djemtë e mi, Taulantin e Granitin, të cilët i urojë për trofetë e fituar. Ndihem babai më i lumtur në botë kur shoh Taulantin me dy Kupa hyri në historinë e Zvicrës, kurse Graniti me Kupën e Anglisë po ashtu hyri në historinë e futbollit anglez”, ka thënë Xhaka për gazetën “Zëri”.