Futbolli i tij është 'kancer' për sy, terapia shëruese janë trofetë

Sport May 27, 2017 - 09:13

Jose Mourinho vetëm në edicionin e tij të parë tek Manchester United ka fituar më shumë trofe se Liverpooli e Tottenhami së bashku në dhjetëvjetëshin e fundit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Jose Mourinho të mërkurën, në Stokholm, e fitoi trofeun e 25-të në karrierë. Loja e skuadrës së tij nuk kënaq, por suksesi është i garantuar. Fitoret dhe trofetë janë terapi... Këto fjalë kanë mundur të shkruhen edhe para finales në Ligën e Evropës. Manchester United e mposhti Ajaxin me 2:0, për ta fituar këtë trofe për herë të parë. Pa e nënçmuar skuadrën holandeze. “Djajtë” e kishin të sigurt triumfin, duke marrë parasysh se udhëhiqen nga njëri prej trajnerëve më të mirë të të gjitha kohëve.

Pragmatik që nuk zgjedh mjetet

Wayne Rooney e ngriti trofeun në stadiumin e Zlatan Ibrahimovicit në Stokholm. Suedezi nuk luajti për shkak të lëndimit, por ishte i pranishëm. “Ka shumë romantikë në futboll, por të tillët nuk fitojnë shumë trofe”, ka thënë Mourinho. Dhe, ka të drejtë. Imperativi për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve ishte motiv shtesë për skuadrën angleze. Mourinho e dinte çfarë do dhe ia arriti qëllimit. Ai është një pragmatik i cili nuk zgjedh mjete. 90 minutat e lojës nuk treguan diçka të veçantë. Dashamirët e futbollit nuk panë lojë të bukur dhe as ritëm të shpejtë, pra ishte një “kancer” për sy. Pogba e shënoi golin e epërsisë nga largësia dhe pjesa tjetër e ndeshjes ishte formalitet. Portugezi është trajneri i parë që e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve dhe po aq herë Ligën e Evropës. 15 vjet më parë këtë sukses e kishte arritur me Porton dhe tani me Manchester Unitedin. Skuadra pati një edicion të çuditshëm, pasi në Premierligë u rendit e gjashta, por sidoqoftë, i fitoi tre trofe. Por, a janë arsyetuar shpenzimet e vitit 2016, sidomos 105 milionë eurot për rikthimin e francezit Paul Pogba.  

Çfarë i dha Jose Unitedit?

Duke fituar “Community Shield”, Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës, United i ka vënë themelet për një të ardhme edhe më të suksesshme. Mund të themi gjithçka për estetikën e futbollit, por qëllimi i arsyeton mjetet. United nën drejtimin e tij u shndërrua në skuadër që vështirë mposhtet. Në 38 ndeshje të Premierligës i ka pësuar vetëm pesë humbje, por u penalizua me 10 barazime. Edhe kjo dëshmon se në skuadrën e tij mbrojtja është reparti më i rëndësishëm. “Pjesa më e madhe e stërvitjes i kushtohet mbrojtjes. Ai dëshiron që ky repart të jetë i pagabueshëm. Pas stërvitjes secili prej nesh merr informata shtesë nga ndihmësi i tij, në mënyrë që të nesërmen të përmirësohemi në atë pikë”, pati thënë kohë më parë një futbollist i tij. Kjo nuk është rastësi edhe duke u bazuar në faktin se United përfundoi e gjashta, por e ka mbrojtjen e dytë, më të mirë me vetëm 29 gola të pësuar, tri më tepër se Tottenhami, që u rendit e dyta. Mirëpo, skuadra ka shënuar vetëm 54 gola, derisa tri të parat (Chelsea, Tottenham, City) kanë shënuar më tepër se nga 80 gola. Në Ligën e Evropës “Djajtë nuk janë mposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit, ndërsa i kanë pësuar vetëm katër gola.

“I veçanti” ka ndryshuar, por nuk ka harruar të fitojë

Nëse e shikojmë hollësisht Mourinho nuk është ai i mëhershmi, arrogant dhe i parespekt ndaj të gjithëve. Sot është më i relaksuar dhe ashtu siç e ka pranuar edhe vetë, më miqësor me futbollistët e tij, por edhe me mediet. E ka gjetur balancën, por nuk ka harruar të fitojë. Jose Mourinho gjithmonë ka dashur çfarë dëshiron dhe si të arrijë deri aty. Finalja e Stokholmit ishte e 14-a në karrierë. Statistikat flasin në favor të tij, pasi 12 prej tyre i ka fituar. Tifozët e Tottenhamit dhe Liverpoolit mund ta urrejnë, sepse Mou vetëm në edicionin e tij të parë tek United ka fituar më shumë trofe se këto dy skuadra së bashku në dhjetëvjetëshin e fundit.

Diagnoza dhe terapia

Finalet nuk luhen, finalet fitohen. Portugezi në vitrinat e tij i ka 25 trofe. E duan apo jo, ai është garantuesi i suksesit. Futbolli i tij bazohet në muskuj dhe për shumë kë është antipatik. Ndoshta as tifozët e Unitedit nuk e duan një lojë të tillë, por në fund të edicionit, kur i shikojnë vitrinat e klubit, dhimbja e syve shërohet me terapi. Dhe ato janë trofetë. E pra, ky ishte një edicion “i dobët” i Manchester Unitedit me Mourinhon. Tre trofe sa për fillim, e çfarë do të ndodhë kur ai të “nxehet” më mirë?