Taulant Xhaka mbetet jashtë Kombëtares, ka ftesë për Lenjanin

Sport May 24, 2017 - 17:02

Taulant Xhaka nuk do të jetë në grumbullimin e radhës me Kombëtaren. Zënka e mesfushorit me trajnerin De Biasi, e paralajmëruar muaj më parë nga “Panorama Sport”, duket se ka lënë pasoja edhe për të ardhmen. Kur kuqezinjtë do të luajnë dy takime, një miqësore ndaj Luksemburgut dhe një kualifikuese ndaj Izraelit, mesfushori i Bazelit pritet të mos jetë pjesë.

MUNGESA

Xhaka ka qenë një nga beniaminët e trajnerit De Biazi, por që pas ndeshjes së parë në Europian me Zvicrën, gjërat nisën të mos ishin më njësoj. Në grumbullimin e fundit të Kombëtares, gjërat precipituan dhe lojtari u largua nga grumbullimi.

Ai më pas deklaroi për “Panorama Sport” se nuk do të pranonte të vinte më në kombëtare, për sa kohë në krye të saj të ishte trajneri italian. Duket se ajo zënkë ka lënë ende pasoja dhe për këtë ajo që do të vuajë është pikërisht skuadra kombëtare që humb një nga futbollistët që ka qenë pjesë e grupit që arriti kualifikimin në “Euro 2016”.

LENJANI

Ermir Lenjani pritet që të ketë ftesë në grumbullimin e radhës. Prania e një ndeshjeje miqësore i jep shansin mesfushorit që të marrë një thirrje nga trajneri për të parë gjendjen e tij dhe për të treguar se forma e tij është e qëndrueshme dhe se ka qenë vendim i gabuar i klubit me sjelljen ndaj tij.

Lenjani nuk është aktivizuar nga Renes, e cila në shumë muaj as nuk e ka grumbulluar mesfushorin kuqezi. Me përfundimin e këtij sezoni, mesfushori është i lirë dhe pritet hapja e merkatos së transferimeve për të parë ndryshim ekipi nga mesfushori mëngjarash. Drejtuesit e klubit të Renes “ndëshkuan” shqiptarin për faktin se ai, një vit më parë, ishte pjesë e skuadrës rivale, Nanta dhe vetë tifozëria e Renes nuk e pranonte diçka të tillë.

“NXEHMJA”

Përfundimi i kampionateve në vende të ndryshme ka bërë që disa nga kuqezinjtë të jenë pushim. Madje, ka prej tyre që janë në Shqipëri pranë familjeve të tyre. Duke përfituar nga ky fakt, ndihmësi i De Biazit, Ervin Bulku dhe përgatitësi atletik Alberto Bele kanë drejtuar një miniseancë stërvitore me lojtarë si Agolli, Lila, Basha e Lenjani. Me një program të lehtë atletik, Bulku do të kërkojë që të mbajë në tonus futbollistët për të qenë në ritëm për grumbullimin, njësoj si lojtarët e tjerë që janë ende në aktivitet.