Deklaratë e rëndësishme e Lazim Destanit për Shkëndijën dhe tifozët shqiptarë

Sport May 24, 2017 - 15:16

Përkundër investimeve të mëdha të “Ecolog-ut” – që është nën pronësi të biznesmenit të famshëm e të suksesshëm shqiptar, Lazim Destani – Shkëndija sivjet i ka zhgënjyer tifozët e saj, “Ballistët”, por edhe gjithë shqiptarët e Maqedonisë, të cilët tash e disa vite përfaqësimin më dinjitoz e kanë ndje pikërisht tek klubi kuq e zi, raporton "Zëri".

Skuadra tetovare nuk është që ka pasur rezultate fortë të këqija, pasi është e dyta në elitën e futbollit maqedonas dhe ka mbërri deri në finale të Kupës.

Mirëpo, tetovarët nuk kanë arritur ta fitojnë asnjërin trofe, gjë që ua ka pamundësuar kualifikimin në gara evropiane, synim ky kryesor që e kishte klubi. Kjo i ka zhgënjyer të gjithë shqiptarët në Maqedoni, dhe më gjerë. Por, padyshim se më të pikëlluarit janë ata që nuk kursyen asgjë nga vetja vetëm e vetëm që Shkëndija t’i arrijë objektivat dhe t’i përmbush apetitet e gjithë shqiptarëve.

Fjala është për familjen Destani, pronaren e Shkëndijës, të cilën e kishte marrë para disa vitesh mbi supet e saj, me kërkesë të tifozëve shqiptarë, të cilët në atë kohë e lusnin Lazim Destanin t’ia ngjet dorën klubit kuq e zi, i cili ishte në prag të shuarjes.

Zëri shkruan se Destani i kishte thënë “Po” kërkesës së shqiptarëve, të cilët pastaj i kishte kënaqur në vazhdimësi me investimet e mëdha të bëra në klub, që në ndërkohë u shndërruar në një “përfaqësuese” të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në një model për shumë klube ballkanike, duke arritur në një nivel evropian.

“Jo gjithmonë tifozët dhe mbarë publiku kanë qenë të kënaqur me rezultatet dhe arritjet e klubit të tyre të zemrës. Aq më tepër, pasi nuk ka munguar përkrahja e parezervë financiare dhe as mbështetja e përzemërt e publikut futbolldashës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga biznesmeni i famshëm, Lazim Destani. “Ju të gjithë, që i keni besuar sponsorit dhe kapaciteteve tona, me të drejtë keni pritur rezultate shumë më të larta. Po këto rezultate i kam pritur edhe unë duke e dhënë maksimumin që Shkëndija jonë e përbashkët të shkëlqejë në çdo pikëpamje, të jetë lider dhe ta bëjë krenar çdo tifoz të vetin. Nuk kemi kursyer fare duke përmbushur çdo kërkesë të stafit teknik, futbollistëve dhe administratës së klubit për të arritur te suksesi i dëshiruar e për t’i gëzuar tifozët shqiptarë dhe gjithë ata që i ndjekin me kënaqësi sukseset e Shkëndijës”, ka theksuar prijësi i gjigantit, “Ecolog”, i cili ndihet krenarë që para pak kohësh e kishte shpëtuar Shkëndijën nga më e keqja, duke i bërë të lumtur “Ballistët”.

“Ishin pikërisht tifozët e shumtë, sidomos ‘Ballistët’ e rritur me ngjyrat e klubit kuqezi, ata që e bindën kompaninë tonë të marrë përsipër sponsorimin e klubit. Andaj, pa hezituar aspak, respektuam kërkesën dhe e bëmë realitet dëshirën aq entuziaste të tyre që ne si kompani të jemi sponsor të Shkëndijës. Të dashur ‘Ballistë’ dhe gjithë ju tifozë të Shkëndijës, njësoj si ju, edhe ne kemi pritur që ekipi ynë sot të ishte lider në tabelë e t’i kishte fituar të gjithë trofetë dhe të konkurronte në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot ne si sponsor, dhe ju si tifozë e ndajmë zhgënjimin e thellë e të përbashkët. Humbjet janë të dyfishta, si nga mungesa e gëzimit dhe krenarisë ashtu dhe nga aspekti financiar”, ka pohuar Destani. “Për hir të së vërtetës, zhgënjimi i tifozëve është dhembja jonë sepse edhe ne vet përveç si sponsor jemi edhe tifozë të kamotshëm të klubit dhe zhgënjimi i tifozerisë është ajo që na shqetëson dhe dhemb më së shumti. Por, një gjë është e sigurt, se ne si sponsor dhe ju si tifozë të flaktë e kemi bërë të pamundurën që të dalim triumfues”, ka potencuar ai.

Lazim Destani: Çka më tej me Shkëndijën?!

Situata aktuale e Shkëndijës po e sfidon seriozisht Lazim Destanin dhe kompaninëne tij, “Ecolog”. “Vendimi ynë për tu përkujdesur për Shkëndijën ishte me qëllimin më fisnik, ishte thjeshtë një kontribut për sportin, futbolldashësit dhe për të gjithë ata që e kanë në zemër Shkëndijën e ngjyrave kuqezi, përfshirë gjithë historikun e lavdishëm të saj”, thotë Destani.

“Gjatë këtyre katër viteve që po e financojmë klubin, ne nuk kemi ndërhyrë në mënyrën e menaxhimit të brendshëm të klubit me qëllim që klubi të krijojë autonominë e menaxhimit profesional. Këtu mos harrojmë që kryesia e klubit nuk është ajo që duhet ta bëjë lojën në fushë e të shënojë fitore por janë futbollistët, për të cilët nuk kemi kursyer aspak”, ka potencuar Destani, i cili nuk po e di nëse duhet ta vazhdojë menaxhimin e Shkëndijës apo jo.

“Sidoqoftë, sukseset kanë munguar dhe në një mënyrë, edhe ne po e ndiejmë peshën e përgjegjësisë. Andaj, kjo ndjenjë e pakëndshme po na shtyn drejt dilemës nëse duhet vazhduar më tej, apo si duhet bërë! Fakti që klubi nuk arriti t’i gëzojë tifozët e shumtë dhe ‘Ballistët’ që me aq dëshirë dhe emocion i kanë pritur fitoret dhe sukseset e Shkëndijës, më brengos thellë dhe më shumë se gjithçka. Mua më ka mbetur që këto ditë t’i bëj disa konsultime dhe pastaj të vendos rreth hapave të mëtejmë të veprimit tonë”, ka potencuar ai.