Warriors, kampionë të Perëndimit

Sport May 23, 2017 - 13:36

Golden State e ka konfirmuar formën e jashtëzakonshme dhe si e pamposhtur shkon në finalen e madhe të NBA-së, si ekipi i vetëm i pamposhtur në “Play-Off”.

Warriors e kanë fituar finalen e Konferencës Perëndimore, duke e deklasuar San Antonion, të cilin e dërgoi në shtëpi pasi e fitoi serinë 4-0.

Me këtë rast, Golden State, që fitoi me rezultat 129:115, e siguroi finalen e tretë radhazi në NBA. Warriors kanë mundur të llogarisin në këtë ndeshje edhe nga dyshja më e fortë në botë, Stephan Curry – Kevin Durant.

I pari e pati një natë magjike me 36 pikë, kurse i dyti i shtoi 29 pikë e 12 kërcime. Curry e mbylli serinë finale me një mesatare të mahnitshme prej 31,5 pikësh, kurse Durant pati 28 pikë e 7,2 kërcime.

Nga ana tjetër, publiku në Teksas i bëri “standing ovation” Manu Ginobilit, për të cilin kjo mund të ketë qenë ndeshja e fundit në karrierën e tij të pasur dhe të lavdishme. Tek Spurs, Anderson realizoi 20 pikë e Ginobili 15.

Rezultati: Golden State – San Antonio 129:115 (4-0 në seri). /Zëri/