Fundosja e 'Troftave'

Sport May 23, 2017 - 11:37

Para pak kohësh ishte njëra prej skuadrave më simpatike në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa tani po shijon ditë të tmerrshme.

Fjala është për Istogun, i cili brenda një viti ka pësuar rënie të pabesueshme, por të vërtetë në realitet, shkruan sot gazeta Zëri.

Para një viti ekipi i kaltër garonte në elitë, ku shfaqte lojëra mjaft të mira. Kishte qëndrueshmëri financiare e madje edhe ishte shembull në këtë aspekt edhe për klube me nam të madh që ka Kosova.

Mirëpo, para një viti e kishte humbur statusin e anëtarit të Superligës. Dhe në këtë mund të ketë ndikuar faktori “kurdisje”.

Nëse videoxhirimet e publikuara së fundmi, që kanë të bëjnë me kurdisje në edicionin e kaluar, përmbajnë vërtetësi atëherë nga ajo aferë mund të ketë pësuar më së keqi Istogu, normalisht nëse do të rishqyrtohej pozicioni i Istogut dhe ekipit të përfolur në videoxhirim, Dritës.

Sidoqoftë, rënia në Ligën e Parë i kishte dhënë tatëpjetë të madhe klubit të “Troftave”, të cilët shpeshherë tubonin nga 2 mijë shikues.

Asgjë nuk i shkoi mirë në një rang më poshtë këtij ekipi, i cili në fundjavë edhe matematikisht ra edhe nga kjo ligë një rang më poshtë, pra në Ligën e Dytë.

Përkeqësimi i gjendjes financiare konsiderohet faktor kryesor.

“Edhe nëse Istogu kundër Vushtrrisë do të shënonte fitore, përsëri do të ishte në zonën e Ligës së Dytë, ani pse do të kishte shpresa që në xhiron e fundit t’i shpëtojë më të keqes. Por, duke ditur së në futbollin kosovar, e me saktë në Ligën e Parë që në 4-5 xhirot e fundit ka vetëm 'pazare' ndërmjet ekipeve, do të ishte e pamundur që Istogu t’i shpëtojë rënies”, thuhet në një deklaratë të këtij klubi, i cili me këtë fenomen “pazaresh” nuk e shfajëson veten.

“Fajin për këtë dështim kaq të madh të klubin tonë sigurisht që e kemi të gjithë nga pak. Këtë rënie kaq të pabesueshme të klubit tonë sigurisht që dikush duhet të japë përgjegjësi!”, theksohet në reagimin e “Troftave”. /Zëri/