SKANDALOZE: Javën që shkoi Kraleva u fut në Kosovë, në fundjavë vjen Kragujevci!

Sport May 22, 2017 - 19:47

Klubet nga Serbia vazhdojnë të hyjnë e të dalin si të duan nga shteti i Kosovës sikurse të jenë në bahçe të babës.

Me 20 maj në Zveçan është zhvilluar ndeshja e futbollit, ndërmjet Trepçës fantome dhe Sllogës nga Kraleva, e cila përfundoi me rezultat 2:1 në favor të vendasve, në kuadër të javës së 25-të të Ligës së Moravës nga Serbia.

Ky është edhe një skandal i radhës, sepse që nga 3 maj i vitit 2016 Federata e Futbollit e Kosovës është e pranuar në UEFA, por klubet serbe ende zhvillojnë aktivitetet ilegale në zemër të Kosovës, shkruan Bota Sot.

Përderisa me 20 maj në Zveçan u fut Slloga e Kralevës, me 28 maj klubi famëkeq serb, Radniçki 1923 nga Kragujevci, do të luaj ndeshjen kampionale, Liga e Tretë e Serbisë, grupi i Perëndimit, ndaj Mokra Gorës në Zubin Potok.

Kjo ndeshje do të luhet me 28 maj në orën 17.00, kësisoj edhe një aktivitet ilegal do të zhvillohet brenda shtetit tonë.

A thua, deri kur do të zhvillohen aktivitete ilegale në Republikën e Kosovës? Askush nuk e di, por një dihet shumë saktë, klubet nga Serbia hyjnë kur të duan, bëjnë çfarë të duan në shtetin tonë.

Do të ishte mirë Federata e Futbollit e Kosovës përmes një letre të protestojë në UEFA dhe të kërkojë që ajo të merr masa ndëshkuese ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.