Alarmohet finalja e Kupës!

Sport May 22, 2017 - 11:55

Njeriu që e kishte paralajmëruar në publik kurdisjen e ndeshjes Besa – Trepça para pak javësh tani e ka dhënë një tjetër alarm shqetësues. Albert Kastrati, “Tigri”, ka hedhur dyshime mbi “Fair Play”-n e finales që po afrohet të Kupës së Kosovës ndërmjet Besës dhe Llapit. Figura e njohur në tifozerinë shqiptare paralajmëron pasurimin e Besës me 100 mijë euro, kurse Llapin me Kupë në dorë. Mirëpo kjo mohohet kategorikisht nga klubi pejan

Për Besën po vazhdon të flitet shumë keq edhe tani kur ky edicion po shkon drejt përfundimit, shkruan sot gazeta Zëri.

Klubi pejan, i cili edhe më herët është përballur me akuza e dyshime për kurdisje, sërish është bërë cak i këtij fenomeni.

Skuadra kuqebardh qysh moti ka dështuar në luftën për titull të kampionit dhe me meritë është kualifikuar në finale të Kupës së Kosovës, bashkë me Llapin.

Ky i fundit është licencuar për pjesëmarrje në gara evropiane në rast se e fiton Kupën.

Ndërsa për Besën pjesëmarrje në kualifikimet e Europa Leagues nuk do të ketë edhe nëse e fiton këtë trofe, sepse nuk është licencuar dhe atë do të duhej ta zëvendësonte nënkampioni, përkatësisht Prishtina.

Image

Dhe është pikërisht kryetari i tifozëve prishtinas, “Plisave”, ai i cili ka alarmuar, duke hedhur dyshime mbi finalen e madhe të Kupës e cila po afrohet.

Albert Kastrati, i njohur si “Tigri”, pretendon kurdisjen e finales së Kupës.

“Po flitet, Besa paratë (100 mijë euro) ndërsa Llapi Kupën. Kur të ndodh përnjëmend atëherë mos më thirrini hiq nëpër medie”, ka shkruar “Tigri” në profilin e tij në “Facebook”.

Është pikërisht tifozi i Prishtinës ai i cili publikisht e kishte paralajmëruar kurdisjen e ndeshjes Besa – Trepça javë më parë, pretendimin e të cilit veç çka e kishin fuqizuar edhe vetë dy klubet e lartpërmendura që kishin lënë hapësirë të madhe për dyshime, duke u bërë ajo ndeshje si më e përfolura e këtij kampionati. Finalja e Kupës do të zhvillohet në fund të këtij muaji, përkatësisht më 31 maj.

Reagon Besa

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Besës, e cila ndihet e tronditur nga pretendimet publike të Albert Kastratit, “Tigrit”, e të cilin pretendim klubi pejan e konsideron krejtësisht të pavërtetë.

Klubi kuqebardh përmes një reagimi është përpjekur t’i qetësojë tifozët e vet dhe gjithë opinionin. Besa garanton se finalja e Kupës me Llapin do të zhvillohet me korrektësinë më të madhe të mundshme.

Image

Besa e ka shprehur bindjen e saj se do ta fitojë Kupën e Kosovës, ndërsa në adresë të Albert Kastratit ka hedhur kritika të ashpra dhe fyese.

Siç dihet Trepça ’89, Prishtina, Llapi dhe Feronikeli janë licencuar për gara evropiane nga Federata e Futbollit e Kosovës. Por vetëm dy do të shkojnë në Evropë. Përpos ’89-shit Llapi është kandidati kryesor.

Mirëpo Feronikeli konsideron se FFK-ja ka bërë falsifikime në dokumentacion dhe se përpos “Niklit” dhe Prishtinës asnjë klub tjetër nuk i ka përmbushur kriteret evropiane.

Andaj, kampioni i dy viteve të fundit e ka njoftuar edhe UEFA-n dhe ka paralajmëruar denoncim të falsifikimeve edhe në Prokurorinë e Shtetit.

Nëse UEFA ndërhyn dhe bindet ma faktet e Feronikelit, atëherë gjërat mund të ndryshojnë, edhe pse gjasat duken të jenë shumë të vogla. /Zëri/