Prishtina i afrohet titullit

Sport May 19, 2017 - 21:52

Sigal Prishtina e ka bërë një hap të madh drejt titullit të kampionit. Bardhekaltrit e kanë mposhtur sonte Bashkimin me rezultat 81:65, për të kaluar në epërsi në 2-1, në serinë e ndeshjeve finale, shkruan zeri.info.

Periudha e parë iu ka takuar prizrenasve, të cilët e fituan atë me katër pikë epërsi, 19:15.

Mirëpo, në 10 minutëshin e dytë kryeqytetasit u rikthyen furishëm duke e barazuar menjëherë rezultatin, ndërsa e fituan këtë çerek 21:13, derisa pjesa e parë u mbyll 36:32 për vendësit.

Periudha e tretë ka folur për kampionin aktual të Kosovës, e cila vazhdoi shkëputjen dhe pas 30 minutash lojë, rezultati në semafor shënonte +11 pikë, 56:45 për mikpritësit, respektivisht periudha e tretë u mbyll me rezultat 20:13.

Prishtinasit u treguan të kujdesshëm edhe në çerekun e fundit, në të cilin e rritën avantazhin dhe prizrenasit dukeshin të dorëzuar, për ta fituar atë 25:20, përkatësisht duke e fituar lojën me 16 pikë avantazh.

Jabarie Hinds ka qenë lojtari i ndeshjes tek Sigal Prishtina, pasi realizoi 20 pikë, ndërsa me pikë dyshifrore lojën e mbyllën edhe Moser, Delic e Rugova. Në anën tjetër, tek Bashkimi më të mirët ishin si zakonisht, Kayel Locke me 22 pikë dhe Justin Black, që shtoi 13.

Prishtina e përmbysi avantazhin fillestar të Bashkimit, i cili e kishte fituar duelin e parë në kryeqytet, duke i fituar dy ndeshje radhazi, fillimisht në Prizren e tash edhe në shtëpi, për të kaluar në epërsi 2-1 me ndeshje në serinë finale.

Dueli i katërt final i “Play-Offit” do të luhet mesjavën e ardhshme. Nëse fitojnë prishtinasit, ata mund të shpallen kampionë midis Prizrenit. Në të kundërtën, seria do të barazohej në 2-2 dhe kampioni do të përcaktohej fundjavën e ardhshme në kryeqytet.

Siç dihet, këtë vit motivi për ta fituar titullin është më i madh pasi kampioni i Kosovës do të luajë në kompeticionin prestigjioz evropian, Champions League. /Zëri/