'Nxehet' finalja

Sport May 19, 2017 - 14:08

Finalja e “Play-Off”-it të Superligës së Kosovës në basketboll është “nxehur” tej mase, shkruan sot gazeta Zëri.

Sigal Prishtina dhe Bashkimi e kanë fituar nga një duel në mes vete në udhëtim, duke e bërë gjithnjë e më interesante fazën finale.

Prizrenasit kishin fituar në kryeqytet, derisa prishtinasit ua kthyen në të njëjtën monedhë, duke i mposhtur të mërkurën mbrëma në “Sezai Surroi”, me rezultat 78:73, për ta barazuar serinë finale në 1:1.

Image

Kjo ka bërë që gjithçka të mbetet e hapur dhe se kampioni nuk do të dihet deri në ndeshjen e katërt ose të pestë.

Dueli i tretë do të luhet në Prishtinë, sonte mbrëma, derisa të dyja skuadrat synojnë fitore, për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampionit, i cili kësaj radhe do të jetë edhe më special, pasi kampioni do të luajë në kompeticionin prestigjioz Champions League.

Image

“Ishte një humbje e papritur për ne, sepse ishim të bindur se do të fitojmë. Por ky është basketbolli, kur nuk e pret ndodhin gjërat e papritura. Besoj se luajtëm mbrojtje të dobët dhe menduam se e fituam ndeshjen akoma pa përfunduar. Megjithatë, kjo nuk do të thotë asgjë”, theksoi basketbollisti i Bashkimit, Gazmend Sinani, për “Zërin”.

Ai beson se prizrenasit do të dalin më mirë në duelin e sontëm.

Image

“E kemi përballë një Prishtinë, një kundërshtar të fortë, por shpresojmë që në ndeshjen e së premtes do t’i përmirësojmë gabimet e bëra dhe shpresoj të fitojmë, gjë të cilën e kemi bërë edhe në duelin e parë në Prishtinë. Ndeshja e së mërkurës ishte vetëm një mësim për ne dhe uroj që t’ia dalim prapë. I falënderojmë të gjithë shikuesit e pranishëm që ishin në sallë dhe që na përkrahën deri në fund”, vazhdoi ish-basketbollisti i Prishtinës.

Nga ana tjetër Fisnik Rugova mbetet i bindur se prishtinasit do të dalin mirë edhe nga dueli i tretë.

Image

“Do të jetë një lojë e fortë, siç ishte ajo në Prizren. Besoj në fitore të premten nëse angazhohemi shumë. Duhet ta përmirësojmë lojën ofanzive dhe të luftojmë në mbrojtje dhe ta marrim kryesimin në 2-1. Nuk do t’i bëjmë gabimet e lojës së parë si vendës. Do ta analizojmë lojën e fundit dhe do të mundohemi që të jemi sa më të saktë”, u shpreh qendra prishtinase. /Zëri/

Superliga – Finalja e “Play-Off”-it

E premte

Sigal Prishtina – Bashkimi (19:00)