UEFA inspekton stadiumet, mësohen datat e kryerjes së punimeve (VIDEO)

Sport April 28, 2017 - 17:30

Inspektori i UEFA-s për infrastrukturë, Tyrge Borno, sot e ka vizituar sërish Kosovën, ku i ka inspektuar dy stadiumet më të mëdha të vendit në të cilat kanë filluar punimet rreth rinovimit të tyre – “Adem Jasharin” në Mitrovicë dhe atë të Prishtinës.

Ai edhe para disa javësh pati inspektuar këto dy arena të futbollit, ndërsa ishte larguar i zhgënjyer nga Kosova, për çka i kishte kritikuar ashpër kosovarët që s’kishin bërë asgjë rreth përmirësimit të gjendjes së tyre, raporton "Zëri.info".

Nga atëherë këto dy stadiume nuk është që kanë përparuar shumë. Kjo pasi procesi i rinovimit të tyre ka ecur shumë ngadalë. Në “Adem Jashari” veç sa kanë filluar punimet, kurse në stadiumin e kryeqytetit ditëve të fundit është vërejtur një shtim i intensitetit të punimeve, por kryesisht në pjesën perëndimore, ndërsa pjesët tjera janë shumë larg rregullimit, shkruan "Zëri". 

Borno nuk është prononcuar për media, por burimet e “Zërit” kanë bërë të ditur se norvegjezi ka kërkuar nga pala kosovare që t’i përshpejtojnë punimet dhe ato të jenë cilësore, të pranueshme për UEFA-n, për çka ka dhënë këshilla e rekomandime.

Kurse drejtori i Departament të Sportit, Ibër Alaj, i ka treguar datat se kur do të kryhen punimet në stadiumin e Prishtinës dhe atë të Mitrovicës. (Me gjerësisht shih videon)