Harroni kurdisjet, FFK-ja s’gjen fakte!

Sport April 27, 2017 - 15:42

Kohëve të fundit futbolli kosovar dhe opinioni është tronditur nga skandalet që kishin të bënin me dyshime të forta për kurdisje.

E tronditur paraqitej dhe dukej edhe vet Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), e cila megjithatë vazhdon të tregohet e zbehtë në menaxhimin e situatave të tilla.

Përkundër dyshimeve të forta dhe të shumta, të gjitha i kanë kaluar nga FFK-ja pa “therë në këmbë”, shkruan zeri.info.

Pasi e kishte regjistruar me rezultatin e arritur në fushë ndeshjen shumë të dyshimtë ndërmjet Besës dhe Trepçës (1:3), shtëpia e futbollit i ka lënë të lirë nga të gjitha procedurat edhe ata pak individë me të cilët ishte marrë, e të cilët qysh prej fillimi nuk shiheshin më fajtorë sesa vet klubet.

Fjala është për tre lojtarët e Besës: Arben Beqirin, Fatmir Rexhën dhe Vildan Gutiqin, të cilët ishin të pezulluar dhe ngarkoheshin me dyshimin për “mosangazhim” në duel me Trepçën.

Komisioni Disiplinor i FFK-së të mërkurën të tre këta lojtarë i liroi nga procedurat dhe u dha të drejtë loje prej ndeshjes së radhës.

Këtë Komisioni Disiplinor e arsyetoi në mungesë të provave dhe fakteve. Për këtë arsye u liruan nga të gjitha procedurat edhe Ballkani dhe kryetari i tij, Florim Kryeziu, të dyshuarit për kurdisje, përkatësisht tentim-kurdisje.

Por, me katër muaj moskryerje të detyrës është dënuar trajneri i Ballkanit, Gëzim Hasi, siç thotë FFK-ja në njoftim, “për shkeljen e kodit sportiv”.

Kështu, të gjitha skandalet që shpërthyen së fundmi në futbollin kosovar sërish i shpëtuan FFK-së, e cila kaherë mos-luftën ndaj kurdisjeve e ka arsyetuar me “mungesën e fakteve dhe provave”, siç bëri edhe kësaj radhe.

Të vetmit që janë dënuar nga krejt këto skandale janë akterët tashmë të famshëm të video-xhirimit.

Ata u dënuan me nga gjashtë muaj, një apo dy vite moskryerje të funksioneve. Edhe atë jo në lidhje me kurdisje, por për shkelje të një rregulloreje që ua  ndalonte çdo takim para dhe pas ndeshjeve.

Ndërsa, deklarimet e forta të ish kryetarit të Ferizajt, të cilat nëse janë të vërteta përmbajnë skandale të mëdha, duket se as që është marr ndokush në FFK.

Dyshimet për kurdisje kaherë e kanë përcjell dhe e kanë “sakatuar” futbollin kosovar, por vetëm në një rast FFK-ja pati shqiptuar dënime.

Të tjerat kanë kaluar pa probleme. Kosova tani ka edhe legjislacion të mjaftueshëm, por deri më tani as institucionet tjera nuk janë treguar aspak efikase në luftën ndaj këtij fenomeni.