Crvena Zvezda hyn në Kosovë veç nëse merr leje

Sport April 27, 2017 - 12:44

Serbia vazhdon të ndërhyjë në Kosovë përmes futbollit. Gjiganti i futbollit serb, Crvena Zvezda, ka paralajmëruar se më 23 maj sërish do të zbarkojë në Graçanicë për ta zhvilluar një ndeshje, siç thonë ata, për bamirësi. Deri më tani serbët nuk kanë kërkuar leje në Prishtinë, ani pse Federata e Futbollit e Kosovës tashmë është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Shtëpia e futbollit kosovar thotë se është e gatshme ta lejojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje me kusht që ajo mos të ketë elemente provokuese. Në të kundërtën thotë se do ta lajmërojë UEFA-n dhe FIFA-n për ndërhyrjen ilegale të Crvena Zvezdës

Serbia nuk e ka ndërmend t’i shkoqet Kosovës. Klubet nga Serbia pas luftës kanë zbarkuar disa herë në vendin tonë, kryesisht në mënyrë ilegale, pa marrë ndonjë leje.

Gjithashtu në Kosovë ka qasje edhe Federata Serbe e Futbollit, pasi ligat serbe janë të shtrira edhe në territorin tonë, siç kishte raportuar kohë më parë edhe gazeta “Zëri” përmes hulumtimit të saj.

Tash klubi serb Crvena Zvezda ka paralajmëruar se planifikon ta zhvillojë një ndeshje miqësore humanitare me Graçanicën në Kosovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediet serbe, sipas të së cilave gjiganti serb do t’i gëzojë serbët që jetojnë në Kosovë me vizitën e tij.

“Lajme të mira për të gjithë tifozët e Zvezdës nga Jugu i Serbisë. Zvezda edhe këtë pranverë do ta vizitojë Kosovën. Lojtarët kuq e bardh do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore më 23 maj në qendrën sportive ‘Dragan Dzajic’ në Graçanicë me këtë klub. Ekipi ynë është i lumtur që do t’i kënaqë tifozët e tij në Kosovë dhe gjatë çdo vizite delegacionit i është bërë një pritje fenomenale”, njofton “hotsport.rs”, raporton zeri.info.

Gjithnjë sipas medieve serbe të ardhurat nga kjo ndeshje do të shkojnë në spitalin pediatrik dhe të lindjes në Graçanicë, ku kanë lindur shumë fëmijë, por që kushtet janë shumë të këqija, vijon portali serb.

Image

FFK-ja s’ka marrë asnjë kërkesë nga serbët

Kjo do të jetë hera e tretë që Zvezda e viziton Kosovën. Vitin e kaluar ky klub bashkë me klubin e Graçanicës kishin kërkuar leje në Federatën e Futbollit të Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore dhe njëherësh bamirëse.

Por këtë vit, të paktën deri tash, klubet nuk kanë shtruar asnjë kërkesë për të marrë leje për zhvillimin e kësaj ndeshjeje.

FFK-ja është duke e vëzhguar me kujdes situatën dhe do të veprojë nëse nuk kërkohet leja për të luajtur në territorin e Kosovës.

“Vitin e kaluar kanë marrë leje nga ne dhe presim që përsëri të ndodhë kjo. Në të kundërtën do ta lajmërojmë UEFA-n dhe FIFA-n për parandalimin e kësaj ndeshjeje, e cila do të ishte ilegale”, thonë në shtëpinë e futbollit kosovar.

Para pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA klubet nga Serbia kanë ardhur në Kosovë si në bahçe të babës, duke zhvilluar ndeshje ilegale. Por nga viti i kaluar gjërat do të jenë ndryshe.

FFK: Leje po, por me kushte

Federata e Futbollit nuk është kundër zhvillimit të aktivitetit sportiv në territorin e Kosovës, çfarëdo nacionaliteti dëshiron ta bëjë një gjë të tillë.

Mirëpo shtëpia e futbollit kosovar paralajmëron se leja për t’u zhvilluar kjo ndeshje do të jepet pasi të bëhet kërkesa, por janë disa kushte që duhet të plotësohen, shkruan sot gazeta Zëri.

“Sigurisht nuk duhet të përdoret kjo ndeshje për interes nacionalist dhe nuk duhet të ketë thirrje apo pankarta nacionaliste apo çfarëdo elementi nacionalist dhe provokues”, shton FFK-ja.

Kjo e fundit është munduar vazhdimisht t’i afrojë klubet serbe që veprojnë në Kosovë, por ato e kanë injoruar atë, duke preferuar të vazhdojnë të luajnë nën ombrellën e Federatës Serbe të Futbollit.

E ato nga Serbia që duan të luajnë në Kosovë duhet të marrin leje me shkrim pasi në të kundërtën do t’iu bëhet “Stop” pa hyrë në territorin e Kosovës. /Zëri/

Image