Austria sfidon Kosovën për Berishën

Sport April 26, 2017 - 11:33

Mërgim Berisha po shkëlqen në futbollin austriak, respektivisht me ekipin e dytë të Red Bull Salzburg, FC Liefering, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai është golashënuesi më i mirë në ligën e dytë austriake dhe kjo ka bërë që përfaqësueset e ndryshme të trokasin në dyert e tij.

Talenti nga Kosova është rritur jashtë vendit dhe kjo ka bërë që ai të kërkohet nga tri përfaqësuese.

Krahas Kosovës, 18-vjeçarit kohë më parë ia kishte vënë syrin edhe Gjermania, kurse së fundmi interesim për të ka shprehur edhe Austria.

Ai ka realizuar shtatë gola me ekipin e të rinjve të Salzburgut në pranverë dhe nuk është befasi që Austria po e vëzhgon me kujdes.

“Berisha është lojtar fantastik. Ne tashmë kemi provuar të vëmë kontakt me të. Nëse vendos të luajë për Austrinë, ne do të ishim të lumtur dhe mjaft mbështetës ndaj tij”, ka thënë për “salzburg.com” drejtori sportiv i Federatës Austriake të Futbollit, Willi Ruttensteiner.

Sidoqoftë, 18-vjeçarit i duhet ta ndryshojë nënshtetësinë nëse vendos të luajë për Austrinë, e cila nuk e lejon dyshtetësinë.

“Ky është një vendim i rëndësishëm personal. Sidoqoftë, ne nuk duam t’i bëjmë presion, çdo vendim e merr ai”, shtoi Ruttensteiner.

Image

E vëzhgojnë edhe Kosova e Gjermania

Gjithnjë sipas “salzburg.com”, edhe Federata Gjermane e Futbollit tashmë ia ka vënë syrin Berishës, i cili ishte lindur në qytetin gjerman, Berchtesgaden.

Gjithashtu edhe Kosova, vendi i prindërve të tij, llogarit në shërbimet e tij për të ardhmen, njëjtë siç e afroi Berishën tjetër të Salzburgut, Valonin, i cili hoqi dorë nga Norvegjia, me të cilën kishte 20 paraqitje, për të luajtur për Kosovën, e cila u pranua në UEFA e FIFA në maj të vitit 2016.

Luan për përfaqësuesen që e fton

“Zëri” kishte biseduar kohë më parë me Berishën, i cili ka treguar pa ngurrim se do të luajë për përfaqësuesen që e fton, duke përfshirë këtu Kosovën, Gjermaninë apo edhe Austrinë.

“Nuk kam menduar ende për këtë punë. Mund të luaj për Kosovën, për Gjermaninë ose për Austrinë. Po pres se kush do të më ftojë e para”, kishte thënë Berisha për gazetën. /Zëri/