Nuk ndalen me kaq

Sport April 25, 2017 - 15:42

Xhudoja ia zbardhi fytyrën përsëri. Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova shkëlqyen në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili u mbajt në Varshavë të Polonisë, duke fituar medalje të artë, respektivisht të bronztë.

Mirëpo, ato nuk e kanë ndërmend të ndalen me kaq, shkruan sot gazeta Zëri.

Madje, synim i tyre qysh tash është medalja në Kampionatin Botëror të xhudos, i cili do të mbahet në pjesën e dytë të vitit, përkatësisht nga 28 gushti deri më 3 shtator të Budapest të Hungarisë.

Majlinda me të mbërri në Kosovë ka thënë se i ka munguar motivi në Evropian, kur dihet se është kampione olimpike. Ndërkaq, ajo synon që me motiv të shtuar, të shkëlqejë edhe në Botëror. Ajo ka theksuar se do të pushojë 2-3 javë, për t’i qetësuar dhimbjet që nuk po e lënë rehat.

“Unë po shpresoj shumë që tash e tutje të mos kem probleme dhe lëndime, kjo është kryesorja. Shpresoj të kem shëndet dhe gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë fillimisht Kelmendi.

“Po mendoj për Botërorin e Budapestit, që mbahet në gusht. Po besoj se do ta konfirmoj formën atje. Budapesti është një vend që gjithmonë marr medalje të artë, besoj dhe shpresoj se do ta fitoj prapë medaljen e artë atje. Mirëpo, për momentin do t’i kem 2-3 javë pushim, do të merrem më seriozisht me lëndimin që e kam”, ka shtuar xhudistja pejane.

Synime të njëjta ka edhe Nora Gjakova, e cila e kërkon medaljen e parë në Botëror, pasi një gjë të tillë e ka arritur në Evropian. Për të, nuk ka shumë rëndësi se çfarë ngjyre apo vlere ka medalja. Me rëndësi të jetë medalje.

“Pa dyshim, medalja në Evropian është më e rëndësishmja, pavarësisht se çfarë është, e artë, argjendtë apo e bronztë. E rëndësishme është se forma më e mirë e imja ishte këtë vit pikërisht në Evropian. Në Botëror shpresoj të fitoj medalje, do të ishte hera e parë për mua”, deklaroi xhudistja pejane.

Distria Krasniqi ka përfunduar në pozitën e shtatë në Evropian. “Disi” premton se në Botëror do të prezantohet edhe më mirë.

“Në Evropian kam shkuar të fitoj medalje, por kjo nuk ndodhi. Pas humbjes së parë pata rënie psikike dhe e humba edhe meçin e dytë. Kjo garë ka qenë mësim dhe do të punoj që në Botëror të mos i bëj gabimet e njëjta”, theksoi ajo.

Edhe trajneri Driton Kuka shprehet optimist se xhudistet e tij do të jenë të suksesshme edhe në Botërorin e Hungarisë.

“Në Poloni është arritur rezultati më i mirë kurdoherë në një Evropian, dy medalje dhe një plasman. E kemi nisur fuqishëm nisur ciklin katërvjeçar drejt Tokios. Është hera e pestë me radhë që po kthehemi me medalje nga Kampionati Evropian. Është një kontinuitet i shkëlqyeshëm, më gëzon shumë ky fakt. Bota shqiptare është mësuar gjithmonë që Majlinda të fitojë të artë. Por, unë si trajner gjithmonë kërkoj medalje në Botëror dhe Evropian, çfarëdo qoftë ajo”, nënvizoi trajneri i suksesshëm pejan. /Zëri/