Kante, futbollist i vitit

Sport April 24, 2017 - 11:52

Anëtari i Chelseas, N'Golo Kante është shpallur futbollisti më i mirë i vitit në Premierligë nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli (PFA).

Mesfushori 26-vjeçar ka fituar në një konkurrencë shumë të fortë, ku ishin edhe bashkëlojtari i tij Eden Hazard, sulmuesi i Tottenhamit Harry Keane, Zlatan Ibrahimoviç i Manchester Unitedit, Romelu Lukaku i Evertonit dhe Alexis Sanchez i Arsenalit.

Kante ishte nga lojtarët kyç te Leicesteri që bëri befasi në edicionin e kaluar, ndërsa mund të bëhet futbollisti i parë që me dy klube të ndryshme e fiton dy vjet radhazi titullin e kampionit në Premierligë.

Ndërkohë, për të dytin vit me radhë, epiteti i futbollistit më të mirë të ri i ka takuar anëtarit të Tottenhamit, Dele Alli, derisa në konkurrencën e femrave më e mira është shpallur futbollistja e Manchester Cityt, Louis Bronze.

Për kontributin e dhënë në futboll, me mirënjohje është nderuar ish-kapiteni i kombëtares angleze, David Beckham./Zëri/