Feronikeli 'sakaton' Hajvalinë

Sport April 21, 2017 - 16:51

Feronikeli mbetet kandidat për titull të kampionit. Kampioni aktual i Kosovës ka mbetur seriozisht në luftë për vendin e parë pasi të premten e mposhti pa problem Hajvalinë me rezultat 6:0 – në kuadër të xhiros së 27-të të kampionatit, raporton "Zëri.info". 

Tri gola për ekipin e Afrim Tovërlanit i ka shënuar lojtari më i mirë i ndeshjes, Bujar Shabani. Kurse, nga një gol tjetër e kanë realizuar Labinot Osmani, Mentor Zhdrella dhe Yll Hoxha.

Feronikeli e ka dominuar lojën dhe ka pasur edhe mundësi tjera të mira shënimi, por që nuk i ka shfrytëzuar. Hajvalia i ka humbur gjasat për mbijetesë. E ka regjistruar vetëm një fitore e katër barazime ndërsa i ka pësuar njëzetedy humbje. I ka vetëm 7 pikë.

Për Feronikelin kjo është fitorja e tetëmbëdhjetë në këtë edicion krahas katër barazimeve dhe pesë humbjeve. “Nikli” tani ka 58 pikë, katër më pak sesa kryesuesja, Trepça ’89, e cila luan të dielën kundër Trepçës. Në fundjavë zhvillohen pesë ndeshje tjera kampionale. /Zëri/