Rruga drejt titullit botëror

Sport April 21, 2017 - 10:52

Haxhi Krasniqi dhe Arthur Abraham janë të gatshëm për meçin e së shtunës mbrëma. Të dy boksierët kanë mbajtur konferencë për shtyp, përmes së cilës i kanë shprehur objektivat e tyre, shkruan sot gazeta "Zëri".

Boksieri kosovar thotë se ëndërr e tij mbetet titulli i kampionit botëror dhe, pasi dështoi dy herë, nuk e ka ndërmend ta lëshojë rastin e tretë që mund t’i vijë. Sidoqoftë, atij i nevojitet ta kalojë një pengesë të madhe, që quhet Abraham, për t’iu afruar titullit të më të mirit.

“Kam respekt maksimal për Arthurin, një emër i madh i cili ka arritur gjithçka. Mirëpo, në ring mund të jetë vetëm një fitues. Kam ushtruar gjatë dhe fort për ëndrrën time që të bëhem kampion botëror. Si gjithmonë, kam qenë i kujdesshëm dhe i disiplinuar. Gjithçka që kam bërë në gjashtë muajt e fundit do t’i shfaq të shtunën. Shpërblimi është një fitore e pastër dhe shansi për ta fituar luftën për titull të kampionit botëror”, ka thënë 30-vjeçari.

Nga ana tjetër, kundërshtari i tij Abraham e ka rastin e fundit në karrierë. Ai është 37-vjeçar dhe synon ta rikthejë titullin e kampionit botëror, të cilin e zotëronte vite më parë.

“Jam person që nuk flet shumë, ia lë të flasë ringu. Do t’ju tregoj në ring se si kemi ushtruar. Dua të fitoj dhe të luftoj për titull kampioni. Pas kësaj, do t’i mbroj titujt. Mirëpo, për momentin jemi të fokusuar në këtë luftë. Të dy boksierët kemi nivel të lartë, këtë do të mund ta shohin edhe tifozët. Pa marrë parasysh se kush është përballë meje, ata duhet të mposhten në ring. Në ring ekziston vetëm një gjë: dua të fitoj dhe do të fitoj”, u shpreh Abraham.

Krasniqi momentalisht ka 46 fitore e 4 humbje, prej tyre 17 fitore me nokaut, duke u renditur në pozitën e tretë botërore në WBO. /Zëri/