Margaritarët, falas

Sport April 21, 2017 - 10:17

Zlatan Ibrahimoviç, Mario Balotelli, Santi Cazorla, Pablo Zabaleta, Yaya Toure, janë disa nga yjet që gjatë verës mund të largohen pa dëmshpërblim

 

Në afatin kalimtar të verës mund të ketë lëvizje të shumta, ndërsa së fundi është publikuar një listë e 11 futbollistëve të njohur, të cilët mund të ndërrojnë mjedis pa dëmshpërblim, e që është rast i mirë për skuadrat që nuk e kanë “xhepin shumë të thellë”. Pra, nëse një skuadër nuk është shumë e pasur, nuk do të thotë se nuk mund të transferojë në futbollist të njohur. Lista e të tillëve sivjet është për t’u respektuar, shkruan zeri.info.

Portieri

Adrian (West Ham): Portieri spanjoll i ka mbushur 30 vjet dhe është në moshën më të mirë për të qenë një portier i nivelit të lartë. Në edicionin e kaluar ishte i shkëlqyeshëm në portën e skuadrës angleze, por sivjet nuk arriti të vazhdojë me të njëjtën formë. Megjithatë, bëhet fjalë për një portier solid, i cili mund të jetë stabil në shumicën e skuadrave në pesë ligat më të forta evropiane.

Mbrojtja

Pablo Zabaleta (Manchester City): Është njëri nga ata që Pep Guardiola planifikon t’i largojë gjatë verës. Argjentinasi 32-vjeçar ende nuk është i vjetër për futboll të nivelit të lartë, ndërsa as ofertat nuk i mungojnë. E kërkojnë skuadra më të vogla në Angli, e dëshirojnë edhe në Itali, ndërsa për të janë interesuar edhe në Kinë.   

Lucas Leiva (Liverpool): Nëse mund të luajë te Liverpool, mund të luajë në shumë skuadra tjera. Sa po i ka mbushur 30-vjet, por në “Anfield” nuk e ka vendin e sigurt. Fat i mirë që për një “luftëtar” si ai, ofertat nuk mungojnë.  

Pepe (Real Madrid): Epoka e tij te Reali por merr fund, ndërsa portugezi do të bëjë gjithçka që të përshëndetet me një trofe të madh. Si destinacioni i ri më i mundshëm përmendet Kina.  

Sead Kolashinac (Schalke): Ndër më të mirët që do të largohen pa pagesë. Për boshnjakun janë duke u interesuar gjigantët si Milan e Arsenal, por ka oferta edhe në Gjermani. Është vetëm 23-vjeç, ndërsa e ka edhe nënshtetësinë gjermane, që është një plus më tepër për të.

Jesus Navas (Manchester City): Nuk arriti të gjendet si duhet në Angli dhe me shumë gjasë do të kthehet në Spanjë. Një alternativë tjetër është Roma, e cila e ka shprehur interesimin për të.

Mesfusha

Yaya Toure (Manchester City): Largohet pa dëmshpërblim, por të interesuarit do t’i ofrojnë pagë të lartë. Apetitet e futbollistit nga Bregu i Fildishtë nuk mund t’i plotësojë çdo kush, prandaj Kina shihet si destinacioni më i mundshëm.

Santi Cazorla (Arsenal): Lëndimi dhe ideja e Wengerit për t’i përforcuar të rinjtë do të thotë se spanjolli duhet të kërkojë skuadër të re. Për një futbollist të kalibrit të tij, kjo nuk do të jetë problem, ndërsa më shumë përmendet kthimi në Spanjë. Sipas “Transfermarkt”, është futbollisti më i shtrenjtë “pa pagesë”, vlera e të cilit është 15 milionë euro.

Eric Maxim Chupo Moting (Schalke): Problemi me gjurin që e la jashtë skuadrës ishte vendimtar, prandaj me qetësi do ta kërkojë një mjedis të ri. Qëndrimi në futbollin gjerman shihet si mundësia kryesore, por as për të nuk përjashtohet aventura në Kinë.

Sulmi

Mario Balotelli (Nice): Çfarë mund të thuhet për një njeri për të cilin është shkruar gjithçka? Me të në skuadër dihet dhe njëkohësisht nuk dihet se çfarë mund të fitosh. Vlerësohet se zgjidhja më e mirë do të ishte qëndrimi edhe për një vit në Francë, por ku i dihet çfarë është duke planifikuar super menaxheri Mino Raiola...

Zlatan Ibrahimović (Manchester United): Çfarë tandemi do të ishte ky, aq sa mund të të kapin drithërimat. Dhe nëse dikush i do, ose ka hapësirë të mjaftueshme për ta, atëherë në vitin e ardhshëm në skuadrën e tij mund ta ketë kombinimin Ibra-Mario./Zëri/