O Kampionat Ballkanik, o Kampionat Shqiptar!

Sport April 01, 2017 - 12:05

Shkëndija tashmë ka marrë “ngjyrë” evropiane. Por klubi i madh shqiptar nga Maqedonia, i udhëhequr nga familja Destani, synon ngritje edhe më të lartë. Por presidenti i klubit tetovar, Abdylmenaf Bexheti, kujton se futbolli ballkanik ka ngecur prapa prej atij evropian. Sipas tij, një Ligë Ballkanike do ta ndihmonte shumë avancimin e futbollit ballkanik. Në të kundërtën, Bexheti thotë se shqiptarët duhet t’ia mësyjnë alternativës tjetër për të garuar bashkërisht në një kampionat të “Ballkanit Perëndimor”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Klubi i futbollit Shkëndija është bërë sinonim dhe model i skuadrave në të gjitha trojet shqiptare. Kuqezinjtë viteve të fundit kanë marrë “aromë” Evrope dhe janë duke u ngritur dita-ditës.

Presidenti i klubit, Abdylmenaf Bexheti, thotë se sukseset e arritura në Maqedoni dhe në Evropë në sezonin që shkoi Shkëndija do të mundohet t’i përsërisë edhe në këtë edicion, ku pa dyshim se synimi kryesor është pjesëmarrja e serishme në garat evropiane.

Të gjitha këto, beson ai, do të arrihen falë familjes Destani dhe pronarit të saj Lazimit, si donator kryesor i klubit.

Jo vetëm Europa League, pasi ekipi tetovar synon edhe më lart.

“Ambiciet dhe objektivat e këtij dhe viteve në vijim janë progresi i vazhdueshëm i garimit në Liga Evropë deri në Ligën e Kampionëve. Familja Destani si pronar të klubit jo që nuk kursejnë fonde rritëse të financimit, por po mbështesin dhe po motivojnë me përcjelljen që i bëjnë ekipit në të gjitha rrugëtimet e garave evropiane. Standardet e ekipit, nga qëndrimet stërvitore në kampet më luksoze ku stërviten ekipet më elitare të futbollit evropian, por edhe në motivimet dhe kompensimet më të larta dhe më të rregullta që ndonjëherë janë bërë në historinë e futbollit në Maqedoni”, tregon për “Zërin” presidenti Bexheti.

Ai shpjegon se krahas ekipit të parë pronarët përkrahin edhe shkollën e futbollit me mbi 300 talente të rinj të futbollit që garojnë në grupmoshat e reja, duke nisur prej fatosave nga U-9 e deri te ekipi i të rinjve U-19.

Gjithashtu, ai shtoi se investimet në infrastrukturë janë një target tjetër në të cilin po punon investitori dhe pronari i klubit.

Për suksese në Evropë

Shkëndija synon të dalë përsëri në Evropë këtë sezon përmes kupës së Maqedonisë, njëjtë siç bëri edhe sezonin e kaluar. Dhe, me rëndësi për tetovarët nuk është vetëm pjesëmarrja në Europa League, por edhe përsëritja e sukseseve duke i bërë të mburren krejt shqiptarët.

“Sigurisht që tanimë kemi bërë një hap të madh më drejtim të sigurimit të finales së Kupës ku pretendojmë ta mbrojmë titullin e fituar vitin e kaluar, ndërsa akoma garojmë për titullin e kampionatit. Freskimet e shpeshta me lojtarë të rinj dhe presioni i ambicieve për rezultate maksimale shpesh paraqitet edhe si ‘boomerang i përshpejtimit’! Megjithatë, maja e ‘Ajsbergut’ e synuar për ne është garimi i suksesshëm në Evropë. Ky është motivi më i lartësuar për ne sesa garimi në një kampionat që renditet në pozitën e 140-të në botë, siç është ky i Maqedonisë!”, nënvizoi ai.

Bexheti thotë se merita në ngritjen e Shkëndijës kanë edhe tifozët e saj, “Ballistët”.

“Pa dyshim se edhe në renditjen e masivitetit të tifozëve në Evropë Shkëndija vitin e kaluar ishte në top 10-shen evropiane. Kjo s’do koment. ‘Ballistët’ na shoqëruan në rrugëtimet më të largëta në Evropë, duke udhëtuar ditë të tëra për të qenë me ne edhe në tribunat e Belgjikës dhe të Republikës Çeke. Këto janë sakrifica që vetëm klubet e mëdha i meritojnë”, shtoi ai.

Bexheti: Do ta forcojmë bashkëpunimin me klubet kosovare

Presidenti i Shkëndijës tregon se e ndjek me kujdes rrjedhën e futbollit kosovar dhe beson se në të ardhmen do të shtohet bashkëpunimi ndërmjet Kuqezinjve dhe klubeve kosovare.

“Sigurisht që e përcjellim futbollin kosovar, posaçërisht pas anëtarësimit të Kosovës në instancat ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA, që hap mundësinë e garimit ndërkombëtar. Në këtë aspekt edhe drejtuesit tanë sportivë dhe operativë janë kosovarë, prej të cilëve mes tjerash presim edhe udhëzimin më efikas në këtë bashkëpunim. Me klubet presim bashkëpunim edhe më të fuqishëm dhe sinergji komplementare në këtë proces. Kemi bashkëpunim shumë miqësor me FC Prishtinën. Shpresojmë edhe me klubet e tjera të vendojmë një bashkëpunim në ngritjen e akademisë shqiptare të futbollit në trojet tona”, thotë Bexheti, për "Zërin".

Kampionati “Ballkani Perëndimor”, i nevojshëm

Bexheti ndër të tjera thekson se organizimi i një kampionatit të “Ballkanit Perëndimor” do të ishte zgjidhja e problemit të niveleve tejet të ulëta të konkurrencave nacionale.

“Nëse nuk arrijmë mirëkuptimin në rrafshin ballkanik, askush nuk mund të na pengojë në një sistem alternativ të garimit shqiptar (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni,...). Nuk mund të presim rezultate evropiane pa ngritje të cilësisë së ligave tona nacionale dhe regjionale”, pohoi Bexheti.

Ngritja e Shkëndijës përmes familjes Destani

Shkëndija, më shumë se një klub, përgjatë gjithë historisë së vet prej gati 4 dekadash (38 vjet) ka pasur shumë batica dhe zbatica. Befasisht, ashtu si shumë personalitete kombëtare, edhe Shkëndija ka qenë ndër klubet më të përndjekura edhe nga ideologjia komuniste.

Prej këtu edhe epiteti i saj se është më shumë se një klub dhe me përmasa kombëtare. Para tre vjetësh e gjysmë Shkëndija ishte në situatë ta humbë statusin në Ligën e Parë për pamundësinë e pagesave të kuotave në federatën e futbollit.

Tifozët e saj dhe jo vetëm “Ballistët”, por edhe shumë personalitete nga jeta sportive, artistike dhe kulturore i “ranë në qafë” kompanisë “Ecolog” dhe pronarëve të saj, familjes Destani për t’ia kërkuar “kujdestarinë” e përhershme të klubit.

Me filozofinë e përgjegjësisë shoqërore që ka familja Destani brenda perandorisë së vet të biznesit, i tha “Po” Shkëndijës në gusht të vitit 2013! Vetëm një javë para fillimit të kampionatit në sezonin 2013/14, klubi në radhët e veta kishte vetëm 2-3 lojtarë më standard, ndërsa të tjerët ishin shkapërderdhur gjithandej.

Nga një pozitë të tillë, brenda 6 muajsh klubi u ngrit në pjesën e epërme të tabelës. Fundi i kampionatit e gjeti në top 4-shin për ta nxjerrë në gara Evropiane. Një vit më vonë filloi me sforcimin ekipor dhe administrativ për ta synuar kreun e tabelës. Vitin e tretë (2015/16) Shkëndija fitoi trofeun e Kupës dhe garoi me shumë sukses në Europa League.

Eliminoi tri ekipe të fuqishme, si Krakovian e Polonisë, Neftchin e Azerbejxhanit dhe Mllada Boleslavin e Çekisë. Në “Play-Off”, që është rundi i katërt, nuk arriti ta tejkalonte barrierën e quajtur Gent nga Belgjika! Ky ishte një rrugëtim rekord i një ekipi në historinë e futbollit të Maqedonisë.

Në ndeshjen e kthimit në Shkup, në stadiumin qendror të kryeqytetit u mblodhën mbi 30 mijë shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike. Sërish një numër rekord shikuesish në një ndeshje në Maqedoni.

Të përforcuar gjithnjë e më tepër, konform ambicieve të pronarëve, sivjet vazhdon rrugëtimi i sukseseve të Kuqezinjve, pavarësisht të gjitha sfidave që ka futbolli në këtë pjesë të Ballkanit, duke filluar nga renditja ekstremisht e dobët i kampionatit e deri te mostoleranca dhe tifozeria me fjalor të urrejtjes ndëretnike përballë shqiptarëve. /ZËRI/