Thaçi nis misionin ‘pa humbje’ në FC Prishtinë

Sport March 30, 2017 - 14:39

Pas disa rezultateve negative, të cilat i kushtuan me ngecje në luftën për titull të kampionit dhe eliminim nga gara për Kupë, prishtinasit rifreskuan shtabin teknik, në të cilin shef e kanë emëruar Arsim Thaçin, ndërsa trajnerin e deritanishëm, Lutz Lindemann, mbeti në postin e drejtorit sportiv, raporton "Zëri.info"

Thaçi sot mbajti mbledhje të përbashkët me futbollistë e krerë të klubit e po ashtu e zhvilloi stërvitjen e parë me bardhekaltrit.

Ai shpreson të debutojë me fitore si trajner i ri i Prishtinës, me të cilën skuadër synon që në njëmbëdhjetë xhirot e fundit kampionale të mos e pësoj asnjë humbje dhe të grumbullojë sa më shumë pikë me qëllim që ta bind kryesinë e klubit t’ia besojnë detyrën e trajnerit edhe në edicionin e ardhshëm.

“Emërimi im si trajner ka qenë paska i papritur. Kam pas kontratë me Prishtinën, por tani ka ndryshuar siç kanë ndryshuar detyrat dhe përgjegjësitë. Kam kontratë për një vit me Prishtinën, e jo vetëm për këto ndeshjet e mbetura. Varet prej rezultateve të trajnerit nëse do të mbetet në pozitë një vit, më pak apo edhe më shumë. Unë e kam pranuar detyrën e re me sugjerimin e presidentit dhe bordit. Jam qe një vit te Prishtina, të cilën e njoh mirë. I kemi 11 ndeshje në vazhdim dhe nëse arrijmë me i zgjidh shumicën prej tyre atëherë unë do të deklarohem se kam qenë trajner i suksesshëm dhe kontrata njëvjeçare do të zgjatet”, ka deklaruar Thaçi.

“Nuk është e lehtë sepse Prishtina sot funksionon në kushte shumë të vështira, sidomos infrastrukturore. Udhëtojmë çdo ditë për të stërvitur, vazhdimisht i ndërrojmë fushat dhe kjo situatë është tepër e vështirë për t’u përballuar. Përkundër gjendjes, unë synojë që me këtë skuadër të mos pësojmë humbje tjetër”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, kapiteni i bardh e kaltërve, Armend Dallku, thotë se me shokët e tij do të mundohen ta mposhtin Ferizajn të premten vetëm e vetëm që Thaçi të debutojë me fitore si trajner i ri i skuadrës, shkruan "Zëri".

Sipas tij, Prishtina duhet të luftojë për fitore në vazhdimësi sepse matematikisht nuk i ka humbur gjasat për titull të kampionit, pavarësisht ngecjes prej 12 pikësh nga kryesuesja, Trepça ’89. “Ndryshimet gjithmonë sjellin freski, shpresoj që kjo të ndodh edhe te ne. Duam t’ia sjellim trajnerit të ri një fitore në mënyrë që ai ta mban debutimin me fitore në një skuadër siç është Prishtina. Janë edhe 33 pikë në dispozicion dhe gjithçka është e mundur nëse ne kemi dëshirë dhe vullnet si në stërvitje ashtu edhe në lojë që të hyjmë për fitore”, ka thënë Dallku.

Image
Image
Image